Elbasan, ndalohet infermieri që tentoi të përdhunonte pacienten e mitur

04/08/2015 00:00

Denoncimi i një 16-vjeçareje për ngacmim seksual ka çuar në pranga një infermier të qendrës spitalore rajonale “Xhaferr Kongoli”, në Elbasan. 26-vjeçari Everest Duka akuzohet për ngacmim seksual të së miturës gjatë kohës që kjo e fundit ka qenë e shtruar në spitalin e Elbasanit.

Denoncimi është bërë në Drejtorinë e Policisë nga 16-vjeçarja me iniciale S.B., e shoqëruar nga prindërit dhe psikologia. Ajo pretendon se infermieri 26-vjeçar ka tentuar të kryejë me të marrëdhënie seksuale me dhunë.

Gjatë deklaratës së tij të parë të dhënë në polici, Duka nuk e ka pranuar akuzën, duke pohuar se ai është përpjekur të kryejë vetëm detyrën e tij, duke treguar herë pas here humanizëm dhe respekt, si me të gjthë pacientët e tjerë.
 
Ndërkohë, Drejtoria e Spitalit “Xhaferr Kongoli” ka bërë menjëherë pezullimin e infermierit deri në hetimin e plotë të ngjarjes. Sipas këtij institucioni, nga ana e 16-vjeçares apo e prindërve të saj nuk ka pasur asnjë ankesë pranë stafit të spitalit, madje vetë Drejtoria e Spitalit e ka mësuar ngjarjen pas denoncimit në polici.

Burime spitalore shprehen se 16-vjeçarja, gjatë qëndrimit 4-ditor në spital, prej datës 24-29 korrik, ka qenë gjatë gjithë kohës e shoqëruar nga mamaja e saj. Ndërkohë, pacientët e tjerë të cilët kanë qenë në të njëjtën dhomë me 16-vjeçaren në pavionin e Nefrologjisë shprehen jashtë kamerës se nuk kishin vënë re asgjë të çuditshme në sjelljet e saj apo të infermierit.

Gjithsesi, policia është duke hetuar për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Aktualisht, po merren në pyetje pacientët e tjerë në spital dhe stafi. Mësohet se 26-vjeçari Everest Duka, prej gati 1 viti e gjysmë, ishte i punësuar në spitalin e Elbasanit.

Top Channel