Ndihma për azilantët nga vullnetarët europianë

04/08/2015 00:00

Shumë evropianë kanë mbështetur qëndrimet e qeverive përkatëse kundër pranimit të refugjatëve, por maskat e tyre të ksenofobisë kanë sfumuar një tjetër fenomen: atë të shumë qytetarëve të tjerë të cilët i mirëpresin azilkërkuesit e nuk i refuzojnë.

Këtu bëjnë pjesë nga vullnetarët hungarezë, të cilët ofrojnë ndihmë  për të sapoardhurit sirianë dhe afganë, e deri tek priftërinjtë  spanjollë që ndihmojnë emigrantët me shkresa. Në fakt, janë shtatë lëvizje nga e gjithë Evropa që janë duke luftuar për të drejtat e refugjatëve.

Aktivistët e “Mirësevini Refugjatë” në Gjermani, mirëpresin mijëra vetë duke i ndihmuar, por të paragjykuarit në këtë mes mbeten të ardhurit nga Ballkani. Sipas kësaj lëvizjeje, ata nuk quhen refugjatë dhe 99% të rasteve nuk i ndihmojnë. Ndërsa për pjesën tjetër, që kryesisht vijnë nga lufta apo nga kriza të mëdha humanitare, ata thonë se duhen ndihmuar.

“Në fund të fundit janë njerëz si të gjithë ne, duhet të hanë, të flenë gjumë apo edhe të bëjnë dush”, shprehet një nga aktivistët.

Gjithashtu, kjo lëvizje mbron tezën se ka qytete si Hanoveri, Mynihu dhe Berlini që popullsia është rritje, por pothuajse në të gjithë Gjermaninë, popullsia është në rënie. E sipas tyre, në qoftë se Gjermania dëshiron të mbetet ekonomikisht e fortë dhe e  begatë, atëherë ajo ka nevojë për emigracionin.

Ndërkaq, në Spanjë, programet drejtuar nga fondacioni Tierra de todos (Toka e të gjithëve) dhe shoqata Cardijn kanë ndihmuar 3.536 njerëz vitin e kaluar. Shumë prej të ardhurve ndjekin kurse për ndihmën e parë si edhe leksione gjuhe. E ndërsa ekonomia e Spanjës është në lulëzim, ata ndjekin edhe kurse ndërtimi që lejojnë emigrantët për të gjetur punë.

Po ashtu, në Hungari grupi që mirëpret refugjatët ka mbi 2,500 pjesëtarë, ku 200 vullnetarë ndihmojnë 400-800 emigrantë në ditë.

Po ashtu, në Greqi, Angli, Itali dhe Francë, grupet që mbrojnë interesat e emigrantëve i ndihmojnë ata në strehim, ushqim, si edhe në të holla për të kaluar ditën.

Ashtu sikurse përfaqësues të organizatës franceze thonë: “Ne ofrojmë ndihmë për ata të cilët shteti nuk bën asgjë”!

Top Channel