SHBA, Kalifornia e përfshirë nga flakët; 13 mijë të evakuuar

04/08/2015 00:00

Në Kaliforni është dhënë një urdhër evakuimi për 13 mijë persona, teksa zjarrfikësit vazhdojnë betejën për të vënë nën kontroll 20 vatra zjarri.

Rreth 9 mijë zjarrfikës kanë punuar gjatë të hënës në terren të pjerrët dhe në kushte të vështira, kanë deklaruar autoritetet lokale.

Zjarri më i madh, i verifikuar në veri të San Franciskos, ka shkrumbuar mbi 145 kilometra katrorë sipërfaqe. Gjatë së hënës, zjarri u zgjerua edhe në një autostradë duke e bllokuar atë.

Zjarri në San Francisko trefishoi përmasat gjatë fundjavës, me autoritetet që e cilësuan një rritje të paprecedentë. Të paktën 24 shtëpi u shkatërruan teksa zjarri zgjerohej i ndihmuar nga erërat.

“Nuk kam parë kurrë një zjarr si ky. Është e habitshme mënyra se sa shpejt u përhap. Tymi është ngjitur deri në 91 metra në ajër”, deklaroi Vicki Estrella, një banore e evakuuar.

Ndërkohë, mbi 6 mijë prona ndodhen në shtegun e flakëve dhe gjasat që të përfshihen prej tyre janë të mëdha.

E ndërsa është bërë pak progres në eleminimin e zjarreve, pjesërisht për shkak të rënies së lehtë të temperaturave, për momentin nuk parashikohen reshje, që do të ndimonin shumë në qetësimin e situatës.

Top Channel