Tetovë, rritet bilanci i viktimave nga përmbytjet. 5 të vdekur, 13 të plagosur

04/08/2015 00:00

Rritet bilanci i viktimave të përmbytjeve të mbrëmjes së të hënës në Tetovë të Maqedonisë, ku deri më tani janë konfirmuar 5 të vdekur, ndër ta 2 të moshuar dhe 3 fëmijë. Sikurse raportojnë mediat maqedonase, trupat e pajetë janë gjetur në ujërat e rrëmbyeshëm ditën e martë.

Më pas janë mbajtur edhe ceremonitë mortore të djalit 2-vjeçar, vajzës 14-vjeçare, si edhe të 83-vjeçarit.

Ndërkaq, numri i të lënduarve ka arritur në 13 persona, ndërsa 113 vetë janë evakuar nga vendbanimet e tyre. Shipkovica, Selca, Xhepçishti, Reçica e Vogël, Ura e Vratnicës, Orashe, Poroj dhe Nerashte janë përfshirë nga vërshimet e vrullshme të ujërave. Këto shira kanë arritur të shkatërrojnë 20 shtëpi, të cilat i ka kthyer në të pabanueshme.

Për t’i ardhur në ndihmë kësaj situate të rëndë, qeveria maqedonase miratoi një vendim për ndihmë financiare fillestare prej 30 mijë denarësh secilit, e cila do u ndahet familjeve të prekura nga vërshimet dhe më pas këshilli i emergjencës do të vijojë vlerësimi i dëmeve.

Po ashtu ndihmë është ofruar nga organizata e Kryqit të Kuq, si dhe institucione të tjera. Pas ngjarjes së rëndë në Tetovë mbërriti kryeministri Nikola Gruevski, së bashku me disa përfaqësues të tjerë të qeverisë shprehur solidaritet, si dhe për të garantuar angazhimin maksimal, duke i ardhur në ndihmë banorëve të dëmtuar nga kjo katastrofë natyrore.

* Në Komunën e Tetovës gjate ditës është ngritur Shtabi i Emergjencës, në të cilin bënin pjesë edhe përfaqësues të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Armatës së Republikës së Maqedonisë, Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë dhe përfaqësues të bashkësive lokale nga vendet e goditura nga përmbytjet e së hënës.

Kryeministri Nikolla Gruevski mbrëmjen e së hënës ka udhëtuar urgjentisht për në Tetovë. Ai vizitoi Reçicën e Madhe, ku dëmet nga përmbytjet janë të mëdha dhe më pas ka vizituar spitalin e Tetovës. Kjo nuk është hera e parë që Tetova përballet me të tilla fatkeqësi natyrore. Një herë në rreth 30 vite, lumi Shkumbin që përshkon këtë qytet del nga shtrati dhe shkakton katastrofa të tilla natyrore. Rasti më i fundit i dokumentuar është ai i nëntorit të vitit 1979, ku edhe në atë kohë u shkaktuan dëme të shumta.

Top Channel