SHBA dhe BE mirëpresin votimin e Speciales: Hap jetik për zbardhjen e së vërtetës

04/08/2015 00:00

Faktori ndërkombëtar ka mirëpritur votimin pro Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës, duke përgëzuar klasën politike vendase. “E përgëzoj Kosovën për miratimin e amendamentit dhe ligjit për Gjykatën Speciale.

Kjo është e rëndësishme për sundimin e ligjit dhe reputacionin ndërkombëtar të Kosovës”, ka shkruar në Twitter ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie.

Departamenti i Shtetit ka vlerësuar vendimin si të domosdoshëm në rrugën e integrimit për Kosovën.

“Mirëpresim vendimin e qeverisë dhe Parlamentit të Kosovës për krijimin e Gjykatës Speciale, e cila mund të ngrejë akuza dhe gjykojë rastet që do të rezultojnë në bazë të provave të grupit të posaçëm hetimor” thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit Mark Toner.

Me miratimin e saj, shprehet më tej Departamenti i Shtetit, Kosova përmbushi detyrimin për ta bërë Gjykatën e Posaçme një realitet. “Ngritja e Gjykatës, nuk ishte e lehtë, por e domosdoshme, që Kosova të përparonte drejt integrimit Euro-Atlantik”, thuhet në deklaratë.

Edhe shefja e Politikës së Jashtme të BE, Federica Mogherini ka vlerësuar votimin, duke thënë se, ky është një hap jetik në ofrimin e kornizës së domosdoshme ligjore për adresimin e pretendimeve të rënda që dalin nga raporti i Këshillit të Evropës, si dhe zotimet e theksuara në letërkëmbimet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2014.

“Duke e kuptuar që ky hap i deputetëve të Kuvendit të Kosovës nuk ishte i lehtë, ai është shenjë e përgjegjësisë dhe vendosmërisë për të nxjerrë të vërtetën dhe për të marrë vendime që janë në harmoni me rrugën evropiane të Kosovës”, ka vlerësuar Mogherini në një deklaratë për shtyp.

Ajo ka nënvizuar se, BE është i përkushtuar në ofrimin e asistencës në këtë proces dhe për të vazhduar punën me palët e përfshira për të përfunduar procesin e krijimit të mekanizmave të nevojshëm ligjorë, në mënyrë që të mund të mbahen procese gjyqësore të pavarura dhe të drejta.

Edhe organizata Human Rights Watch, përmes një komunikate për shtyp ka deklaruar se, e ka mirëpritur vendimin e Kuvendit të Kosovës.

HRW ka thënë se gjykata do të operojë në kuadër të ligjeve të Kosovës, por me seli në Evropë dhe gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë.

Top Channel