Ekstradohet nga Italia 41-vjeçari i dënuar me 5 vite burg për mashtrim

04/08/2015 00:00

Policia e Shtetit njoftoi të martën ekstradimin nga Italia të shtetasit shqiptar Kelmend Bufazi. 41 vjeçari me banim në Lushnjë është dënuar me 5 vjet burg për mashtrim.

Në vitin 2007, Kelmend Bufazi pasi kishte mësuar se një person në Dragot do të shiste një tufë delesh, ka përgatitur një deklaratë me dorë në praninë e dy personave të tjerë dhe kanë rënë dakord për blerjen e tyre. I pandehuri i ka dhënë fillimisht shumën prej 200.000 lekë nga totali prej 1.150.000 lekë dhe i ka premtuar se pjesën tjetër do ia jepte brenda datës 01.05.2008. Duke qenë se pjesa e detyrimit nuk është shlyer asnjëherë nga Bufazi, personi i dëmtuar ka depozituar kallëzim penal në ngarkim të tij.

Gjithashtu, në vitin 2008, po në fshatin Dragot, shtetasi Bufazi i ka marrë shtetasit me iniciale V.P. 100 krerë dele, duke i dhënë vetëm një pjesë të parave dhe duke mos shlyer detyrimin e plotë.

Po kështu ka vepruar edhe me shtetasin F.A., të cilit i ka marrë 41 krerë qingja dhe duke mos i shlyer asnjë pagese.

Top Channel