Baloteli, sërish në Itali. Lazio mendon për kthimin e tij

04/08/2015 00:00

Mario Balotelli mund të shkojë tek Lazio. Ky është lajmi i publikuar nga tabloidi britanik “Daily Mirror”, sipas të cilit, klubi roman i ka shfaqur gatishmërinë sulmuesit italian për ta marrë atë në radhët e tij.

Gjithnjë sipas “Daily Mirror”, ideja e bardhekaltërve është që ta sigurojnë shërbimin e Balotelit në formën e huazimit, por kjo vetëm nëse Lazio do të mund të arrijë të kualifikohet në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve.

“Daily Mirror” thekson gjithashtu se, Lazio mund t’i paguajë Liverpulit 2 milionë euro për huazimin me të drejtë blerjeje të kartonit të futbollistit për 18 milionë euro. Por, pengesa në këtë çështje qëndron te paga e Balotellit, e cila është 6 milionë euro në sezon dhe Lazio është gati të paguajë vetëm 30% të saj.

Megjithatë, sipas tabloidit britanik, Balotelli duket se nuk ka ndërmend të pranojë reduktimin e pagës së tij, kështu që i mbetet Liverpulit të pranojë pagesën e pjesës tjetër prej 70% të pagës së lojtarit.

Top Channel