Kina me fabrikë prodhimi mushkonjash

04/08/2015 00:00

Shkencëtarët kinezë, në kuadër të luftës kundër etheve tropikale, për të luftuar mushkonjat femra, të cilat shkaktojnë sëmundjen, kanë nisur të kultivojnë mushkonja meshkuj, që mbartin bakterin sterilizues.

Gazeta ‘China Daily’ raporton se në rajonin Guangdong, në jug të vendit, është ndërtuar një fabrikë në një park shkencor, ku kultivohen afërsisht 10 milionë mushkonja meshkuj në javë. Këtyre mushkonjave u injektohet bakteri “wolbachia”, i cili gjendet në përgjithësi tek mizat dhe insektet.

Mushkonjat meshkuj të cilët mbartin bakteret lëshohen në ishullin Shazaj, i cili është 3 km katrorë. Mushkonjat femra të cilat çiftëzohen me mushkonjat meshkuj, për shkak të baktereve, bëhen sterile. Kjo mënyrë siguron reduktimin e ndjeshëm në numrin e mushkonjave në rajon për një kohë të përcaktuar.

Shi Ciyong, nga departamenti Mikrobiologjik në Universitetin Sun Yat-sen, njoftoi se me 12 mars është lëshuar grupi i parë i mushkonjave meshkuj në ishull.

Shi ka theksuar se mushkonjat të cilat mbartin bakteriet dhe që kanë një jetë afërsisht për 2 javë, pasi janë lëshuar me intervale të rregullta është vërejtur një reduktim në masën 90 përqind në numrin e mushkonjave. Në “fabrikën e mushkonjave”,  krahas hulumtuesve kinezë dhe amerikanë, marrin pjesë edhe ekspertë nga Qendra e Kontrollit të Sëmundjeve në Kinë dhe nga Qendra e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve Guangcou.

Vitin e kaluar në Kinë, ndaj afërsisht 46 mijë personave u vendos diagnoza e etheve tropikale. 35 mijë raste u gjetën në rajonin Guangcou. Sëmundja, e cila injektohet nga mushkonjat femra, ka shkaktuar vdekjen e 5 personave.

Top Channel