Bota e errët e trafikimit “online” të kafshëve

04/08/2015 00:00

Gjahtarët e paligjshëm të kafshëve ekzotike duket se kanë gjetur parajsën në faqet e internetit, ku po shesin prenë e tyre, duke i shpëtuar rregullimeve ligjore të shteteve.

Ne kemi dëgjuar për dentistin vrasës të Secile, por ka shumë luanë, elefantë, rinocerontë dhe dhjetëra mijë kafshë të tjera ekzotike që shiten në internet në vende si eBay dheCraigslist, të cilët janë po ashtu në rrezik.

Nëse jetoni në SHBA, keni 4,850 dollarë dhe një lidhje interneti, një luan “kaba” afrikan, mund të bëhet juaji. “Kjo është një blerje fantastike për këdo që interesohet për një luan”, shkruan reklama në eBay. “Do të ishte një dekorim i hatashëm për shtëpinë, lokalin apo zyrën tuaj”.

Por aty nuk përmendet se si është zënë kafsha dhe nuk thuhet nëse është importuar sipas ligjeve në fuqi. Ndaj, ndoshta një luan i balsamosur që shitet për 870 dollarë nga “Industritë afrikane të lojës”, mund të duket në rregull kur lexon të shkruhet se është inspektuar nga Shërbimi Amerikan i Peshqve dhe Jetës së Egër (FWS). Por nuk ekziston asnjë dokument që ta provojë këtë teori.

Një javë më parë, pas vrasjes së luanit më të njohur të Zimbabvesë, Asambleja e Përgjithshme Amerikane miratoi një rezolutë për gjuetinë e paligjshme.

Por kontrollimi i trafikimit të kafshëve të egra është shumë i vështirë për ligjin, aq më tepër në tregjet online. Zyra Amerikane e Tregtisë vlerëson se trafikimi i jetës së egër dhe krimet e tjera të lidhura me mjedisin, vlejnë nga 70 miliardë deri në 213 miliardë dollarë në vit.

Dhe përparimi që është bërë në këtë fushë në SHBA, është shumë i vogël. Vitin e shkuar, në lidhje me masakrimin e elefantëve afrikanë dhe pozicionin e SHBA-së, si tregu i dytë më i madh botëror për fildishin, FWS tha se do të ndalonte tregtimin e fildishit afrikan me prejardhje nga elefantët.

Është tanimë e ligjshme në shumicën e shteteve të shitet fildish i importuar sipas ligjit, i siguruar përpara ndalimit botëror të vitit 1989. Grupet e mëdha të gjuetisë ka gjasa të bëjnë kundërshtimet e tyre pavarësisht se ekziston një përjashtim që u lejon individëve të dërgojnë në SHBA dy trofe të gjuetisë sportive në vit, nga elefantët afrikanë.

Të tjerë thonë se ndalimi i tregtisë së fildishit nuk do të funksionojë kurrë, për shkak të korrupsionit. Ndërsa në botën reale diskutohen mundësitë, në atë virtuale duket se tregtia vazhdon e pashqetësuar.

Transaksionet online e kanë bërë trafikimin e jetës së egër në internet, një biznes të fuqishëm dhe shumë fitimprurës. Kjo nuk është e vërtetë vetëm për fildishin apo brinjët e rinocerontëve, por edhe për 5600 specie të tjera kafshësh dhe për mbi 30,000 bimë të rëndësishme.

Më parë, duheshin muaj ose vite që produktet e jetës së egër të qarkullonin në treg, por sot shitjet ndodhin brenda disa ditëve dhe kjo i ekspozon kafshët edhe më shumë.

Lëvizja e këtyre kafshëve që bien në grackat e gjuetarëve, është shumë e thjeshtë dhe fare e shpejtë. Një specie nga Azia Juglindore mund të bëhet pre në xhungël, të futet në një listë interneti dhe të shitet ditën tjetër për të mbërritur në SHBA, brenda dy ose tre ditëve nga kapja.

Vetëm në vitin 2012, zyrtarët amerikanë ia dolën të arrestonin 154 persona që shisnin në mënyrë të paligjshme kafshë të jetës së egër.

Në vitin 2009, eBay ndaloi të gjitha shitjet e fildishit në 30 shtete ku operonte. Në të njëjtin vit, kompania kineze e shitjeve online Alibaba, ndaloi tregtinë online të fildishit, organeve të peshkaqenëve dhe produktet e breshkave të detit.

eBay përdor një sistem kërkimi me fjalë kyçe për të futur në listën e zezë shitjet e ndaluara. Po ashtu, kompania përdor ndëshkime për ata që e përsërisin shkeljen. Megjithatë, një numër gjithnjë e më i madh po u shpëtojnë “policëve” të sajtit.

Së fundmi, autoritetet amerikane e kanë kthyer vëmendjen nga platforma Craigslist. Brenda katër ditësh, ata gjetën 522 postime për tregti të paligjshme kafshësh, të kapura nga gjahtarë, të cilat kishin vlerën 1.5 milionë dollarë.

Ndryshe nga eBay, Craigslist është një ndërmjetës, jo një platformë shitjeje dhe kështu që është e pamundur të vlerësohet se sa prej postimeve finalizohen me shitje, apo sa prej tyre ishin plotësisht të paligjshme.

Për më tepër, volumi i këtyre platformave është shumë i madh dhe thuajse i pakontrollueshëm. Megjithëse faqet në internet nuk po bëjnë gjë të paligjshme, ato nuk po i ruajnë hapësirat e tyre në internet.

Pas kërkesës së autoriteteve amerikane, kjo faqe e ka zgjeruar listën e artikujve të ndaluar, por problemet janë të shumta. Shoqatat për mbrojtjen e kafshëve po punojnë që të gjejnë një mënyrë për t’i nxjerrë kafshët në shitje nga rrjeti i errët i internetit dhe për të shpëtuar jetën e shumë të tjerëve.

Një projekt që do të mund të infiltrohet në këto rrjete po kërkon aktualisht për donatorë. Shoqatat po bashkëpunojnë ndërkombëtarisht për t’i dhënë fund këtij problemi, i cili është veçanërisht shqetësues në Kinë.

Përgjegjësia e kompanive që shërbejnë si ndërmjetëse në këtë mes, mund të jetë e madhe, nëse vërtetohet se kompania ka dijeni për shitjet e paligjshme dhe merr përfitime prej kësaj.

Top Channel