Fullani drejt gjyqit, ja akuzat ndaj tij; nga supervjedhja te blerja e “Dajtit”

04/08/2015 00:00

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimin dhe ka dërguar për gjykim kërkesën ndaj Ardian Fullanit, ish-guvernator i Bankës së Shqipërisë, i akuzuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Për Prokurorinë e Tiranës, në bazë të hetimeve, ka rezultuar se i pandehuri, ish-guvernator i Bankës së Shqipërisë, nuk ka marrë masa për zbatimin e vendimeve dhe udhëzimeve të miratuara nga Këshilli i Mbikqyrës. Moszbatimi i tyre, sipas Prokurorisë, ka ndikuar drejtpërsëdrejti në vjedhjen e 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë, vjedhje për të cilën janë gjykuar persona të tjerë.

Po ashtu, Prokuroria e Tiranës e konsideron përgjegjës ish-guvernatorin Fullani në procedurat për blerjen e ish-hotel “Dajti” në vlerën 30 milion euro. Prokroria thotë se, ish-guvernatori Adrian Fullani rezulton, nga hetimet, të ketë qenë personi që u ka bërë me dije anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë se do të blihej kjo pasuri e paluajtshme.

Organi procedues çmon se “procedura e ndjekur me prokurim të drejtëpërdrejtë dhe veprimet e ndërmarra nga anëtarët e Komisionit të Prokurimit kanë qenë thjesht formale, për sa kohë që të gjitha këto procedura të nisura me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, më 16 qershor 2010, janë kryer rreth një muaj më vonë nga momenti që Këshilli i Ministrave të vendoste për shitjen e ish-hotel ‘Dajtit’ pikërisht Bankës së Shqipërisë, si edhe duke caktuar dhe vlerën për shitjen e kësaj pasurie të paluajtshme”.

Prokuroria e Tiranës vlerëson më tej se, ish-guvernatori Fullani ka përgjegjësi ligjore, pasi nuk ka urdhëruar dhe ndërmarrë veprimet e nevojshme për vlerësimin real të kësaj pasurie të paluajtshme dhe se vlera me të cilën është blerë godina e ish-hotel “Dajti” është përllogaritur si pasuri “hotel”, në një kohë që ndërtesa nuk do të përdorej nga blerësi (Banka e Shqipërisë) si biznes fitimprurës hotel, por si ambjente zyrtare pune.

Top Channel