Obama prezanton planin për klimën: Brenda 2030, 32% emetime më pak

04/08/2015 00:00

Brenda vitit 2030 emetimi i karbonit nga çentralet elektrike do të reduktohet me 32% krahasuar me vitin 2005.

Kjo ishte kryefjala e fjalimit të presidentit amerikan Barack Obama, teksa ilustroi planin e tij për klimën duke nënvizuar faktin se, kjo gjë do t’i kursejë çdo amerikani nga 85 $ në faturat e energjisë dhe gazit.

Me një fjalim të gjatë dhe frymëzues, Obama prezantoi planin e tij për mbrojtjen e ambjentit duke theksuar faktin se Amerika duhet të jetë udhëheqëse në masat më të rrepta që duhen ndjekur në lidhje me klimën.

“Asgjë nuk e rrezikon të ardhmen tonë dhe atë të brezave të rinj sa ndryshimet klimaterike. Ky është hapi më i rëndësishëm që ka bërë ndonjëherë Amerika për materjen”, deklaroi Obama.

Por plani i tij nuk është mirëpritur nga republikanët në Kongres, kryesisht nga kandidatët për presidencialet e vitit 2016.

Sipas Marco Rubio, ekspertët e administrimit duhet të zhvillojnë politika të mira për ambientin, por të mira edhe për ekonominë amerikane. Ajo që po kërkon administrata Obama, theksoi ai, kërcënon shumë ekonominë tonë.

Ndërsa Jeb Bush, planin e Obamës e sheh si të papërgjegjshëm, që bie ndesh me qeveritë e Shteteve të Bashkuara e si pasojë do humbasin vendin e punës mjaft persona dhe do rritet çmimi i energjisë për të gjithë.

Por edhe për ta, Obama e kishte një përgjigje. “Nëse i keni shumë për zemër personat që kanë probleme ekonomike dhe minoritetet, atëherë filloni të mbroni ajrin që ata thithin. Plani ynë do t’i kursejë çdo amerikani 85 $ në vit në faturat e energjisë dhe gazit. Akuzat tuaja janë justifikim për të mos bërë asgjë”, tha Obama.

Ndërsa në anën e demokratëve, Obama duket se i ka bindur të gjithë duke filluar që nga kandidatja për Shtëpinë e Bardhe, Hillary Clinton, e cila u shpreh e gatshme për t’u bërë presidente dhe për të zbatuar planin.

Top Channel