Tiranë-Elbasan, punonjësit i bashkohen protestës së nënkontraktorëve

04/08/2015 00:00

Protestës së nënkontraktorëve në dyert e kompanisë “Copri-Actor”, që fitoi tenderin për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan, iu bashkuan sot edhe punonjës të shoqërisë, të cilët po ashtu thonë se nuk janë paguar prej saj.

Pas ndërprerjes së punimeve pak ditë më parë, punonjësit thonë se janë lënë pa asnjë sqarim nga kompania, e cila u detyrohet pagat për punën e kryer gjatë tre muajve.

“Kemi tre muaj, jemi të papaguar. Erdhëm këtu, kemi një javë që jemi në shtëpi. Nuk e di, na thanë, shihemi nga fundi i gushtit. Të dalë dikush nga firma dhe të na japë përgjigje se kur do të paguhemi, asgjë tjetër s’po kërkojmë”, ka deklaruar një protestues.

“Ata na thonë se nuk dinë gjë fare. S’kemi ide kur do të paguhemi, të shohim nga fundi i muajit nëse do na japin ndonjë lek. S’ka asgjë të sigurtë”, ka thënë një tjetër.

Ndërkohë, nënkontraktorë të kompanisë kërkojnë ndërhyrjen e shtetit për t’i dhënë zgjidhje situatës së krijuar.

“Jo vetëm unë, por dhe shumë si unë që nuk kanë marrë lekët, çdo muaj mbyllim fatura, presim TVSH, ndërsa kompania thotë ‘nuk na i ka dhënë shteti’, ku është ky shtet që nuk dëgjohet”, është shprehur një tjetër protestues.

Përplasja mes shoqërisë dhe qeverisë ka nisur muaj më parë, kur për shkak të disa situatave të krijuara, kompanisë nuk i janë njohur situacionet e punimeve.

Ajo që i dha një tjetër shtysë konfliktit është se kujt do t’i njihen shpenzimet për riparimin e rrugës së dëmtuar nga shembjet e mëdha para disa muajve, që sollën dhe bllokimin e rrugës.

Top Channel