Pasionet e Hamilton, garat me motorë dhe NASCAR

04/08/2015 00:00

Ljuis Hamilton është piloti më i mirë në Formula 1 për momentin, por britaniku ka edhe pasione të tjera. Në një intervistë për “Mirror”, 29-vjeçari ka deklaruar se fillimisht ka qenë i interesuar për motoçiklizmin dhe shpresonte që një ditë të testojë veten me motorët e MotoGP.

“Kur isha fëmijë ëndërroja të merrja pjesë në garat motoçiklistike, edhe pse babai im më bleu makinën time të parë go-kart. Në atë kohë mendoja vetëm për motorët. Gjithsesi, nuk jam i zhgënjyer për mënyrën se si ndryshuan gjërat, por motorët kanë qenë dashuria ime e parë sportive. Dua të testoj veten me një motor të MotoGP për të kuptuar se si ndihesh”, ka treguar Hamilton.

Ai ka edhe një pasion tjetër: garat NASCAR. Hamilton ka shtuar se do t’i pëlqente që një ditë të provonte drejtimin e një makine në një aktivitet të tillë.

Ljuis Hamilton është në krye të Botërorit të Formula 1 kur kanë mbetur edhe 9 gara nga përfundimi i kampionatit. Nëse ai do të arrijë të triumfojë, do ta fitojë titullin për të tretën herë dhe do i bashkohet emrave të tillë si Airton Senna, Xheki Stjuart dhe Niki Lauda.

Rekordin në këtë pikë e mban Mikael Shumaker me 7 tituj kampion bote, i ndjekur nga Huan Manuel Fangio me 5 dhe Sebastian Vettel e Alen Prost me nga 4 tituj botërorë.

Top Channel