Kalais, emigrantët “dëbojnë” vendasit; banorët shesin shtëpitë nga frika

04/08/2015 00:00

Irritimi i grupeve të emigrantëve dhe organizimi i tyre po e bën të vështirë jetën për banorët e lokalitetit Kalais në Francë, kryesisht pranë vendstrehimit të tyre, të quajtur Xhungël.

Të frikësuar tanimë dhe pa mbrojtjen e duhur, banorët kanë filluar të largohen, të shesin shtëpitë e tyre, por dhe të ngrenë kurthe për ata që mund t’u rrezikojnë pronat.

Një fermer madje ka instaluar edhe kamera termike në fermën e tij dhe e ka rrethuar atë me tela elektrikë duke vendosur një tabelë ku shkruhet: “Pronë private. Ndalohet hyrja. Rrezik shkatërrimi. Kurthe!”.

Gjatë rruges “Rue de Gravlin”, që të shpie në Xhungël, pothuajse të gjitha shtëpitë mbajnë nga një tabelë ku shkruhet: “Në shtije”.

Gjithçka filloi kur banorëve po u zhdukeshin dita ditës objekte jashtë shtëpive, rrobat e lara e deri kur në një moment – rrëfen njëri prej tyre – në oborr gjeti disa syresh që po përdornin edhe lidhjen e tij të internetit WIFI.

“Na dhimbsen dhe i kemi ndihmuar me ç’të mundemi, por tani nuk po i kontrollojmë dot më dhe kanë filluar të na frikësojnë. Ime bijë nuk goxon as të marrë autobusin e të shkojë në shkollë, pasi në të janë shumë prej tyre dhe ajo u frikësohet”, ka treguar banori.

Një tjetër element gjithashtu janë edhe sirenat e policisë, qoftë edhe orëve të vona të natës që vijnë për t’i shpëndarë. Nga pala angleze gjithashtu nuk ka qetësi.

Jo më larg se të hënën, zyrtarë të Euro Tunnel lajmëruan autoritetet se të 5.000 emigrantët që ndodhen përtej tij nuk mund të kontrollohen, ndaj ata shohin si zgjidhje të vetme largimin e vendstrehimit të tyre.

Bazuar në këto thirrje, sekretari I Jashtëm i Britanisë së Madhe, Philipp Hammond u mundua të qetësonte situatën duke i siguruar të gjithë se qeveria i ka gjërat nën kontroll.

“Besoj se e kemi ende nën kontroll situatën. Patëm një pikë kulminante gjatë javës që lamë pas, por kaloi me shpërndarjen e emigrantëve. Kemi rënë dakord gjithashtu me autoritet franceze dhe drejtuesit e Euro Tunnel për një sërë masash që kanë filluar të japin efekt, gjë e cila pres të përshkallëzohet pozitivisht në ditët në vijim”, deklaroi Hammond.

Hammond është gjithashtu përfaqësuesi i qeverisë për krizën në Kalais, në takimet e komitetit Cobra dhe u shpjegoi gazetarëve edhe disa masa të tjera, ku përfshihen 100 roje sigurie shtesë nga ana e Francës, ndërsa nga kufiri i Britanisë së Madhe, oficerët roje të kufirit do shtojnë kontrollet e tyre përgjatë tunelit dhe dhomës së kontrollit.

Top Channel