Tregtia e akullit me mikrobe, pezullohen 36 subjekte

04/08/2015 00:00

Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor ka ndëshkuar me pezullim aktiviteti dhe gjobë prej 500 mijë lekësh të reja, 36 subjekte që prodhojnë dhe shpërndajnë akull nëpër bare, lokale dhe restorante në vend.

Që prej tre javësh, Inspektoriati Shëndetësor ka nisur kontrolle të rrepta ndaj këtyre subjekteve, ku deri më tani janë kryer 403 inspektime. Nga 308 mostra akulli të marra, të cilat janë analizuar në kushte laboratorike, 79 prej tyre kanë rezultuar me ngarkesa mikrobike.

Përveç subjekteve që e prodhojnë akullin janë ndëshkuar me gjobë dhe pezullim aktiviteti lokalet dhe restorantet që furnizohen me akull nga këto subjekte, akulli i të cilave rezultoi me ngarkesa mikrobiologjike.

Vetëm në Tiranë numërohen  10 bar kafe, madje të njohura dhe që frekuentohen në masë,  të cilat janë pezulluar dhe ndëshkuar me gjobë. Gjashtë bar-kafeve u është pezulluar aktiviteti në Vlorë, 3 në Durrës, 4 në Shkodër, 4 në Dibër dhe 3 në Korçë.

Ndërkohë,  i kontaktuar me telefon, kreu i Inspektoriatit  Shtetëror Shëndetësor, Eltar Deda u shpreh se inspektimet do të vijojnë në mënyrë rigoroze  me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve. Sipas Dedës, nuk do të tolerohet asnjë subjekt që konstatohet me shkelje të parametrave  higjieno-sanitare  dhe përbën rrezik për shëndetin e konsumatorëve.

Top Channel