Kosovë, 3 të arrestuar për pirateri informatike. Hetimi, në bashkëpunim me FBI-në

04/08/2015 00:00

Policia e Kosovës ka njoftuar këtë të martë se, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, pas pranimit të informacioneve dhe veprimeve të përbashkëta hetimore me FBI-në, ka identifikuar 3 të dyshuar, të cilët kryenin në vazhdimësi veprën penale të krimeve kompjuterike.

Sulmet kibernetike të tyre përfshinin vjedhje të të dhënave të ndryshme personale, atyre bankare, shitjen online të programeve kompjuterike për infektimin e kompjuterëve, etj.

Në bashkëveprim me Prokurorinë e Shtetit është ndërmarrë operacioni për arrestimin e të dyshuarve të këtij rasti, si dhe për kontrollin e shtëpive dhe objekteve, me qëllim mbledhjen e provave.

Operacioni policor është zhvilluar në dy vendndodhje në rajonin e Gjilanit, si dhe në një vendndodhje tjetër në rajonin e Mitrovicës. Të dyshuarit janë shtetas shqiptarë të Kosovës, të cilët janë identifikuar në komunikatën e policisë me inicialet: L. I., lindur më 1990-n; L. M., lindur më 1992-shin; dhe L. Sh., lindur më 1989-n.

Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar: 6 laptopë, 2 njësi qendrore; 7 telefona mobile; 1  harddisk i jashtëm; 5 USB; 20 CD; 5500 euro dhe 1 automjet. Personat e dyshuar me urdhër të prokurorit janë dërguar në paraburgim për vazhdimin e procedurës së mëtejshme gjyqësore.

Top Channel