Koncert në një s(t)allë me lopë

04/08/2015 00:00

Nëse mendoni se muzika klasike, tingujt e pianos apo violinës janë një luks i njeriut, gaboni.

Tre muzikantë me famë ndërkombëtare dhanë një koncert vetëm për lopët. “Happy Cow Concert” (Koncerti Lopa e Lumtur) ishte një tip eksperimenti i zhvilluar në një s(t)allë në Kremona të Italisë.

Ky qytet njihet ndryshe edhe si kryeqyteti i Italisë për prodhimin e qumështit dhe nënprodukteve të tij.

Pianistët Andreas Kern, Roberto Prosseda dhe violinisti Fabrizio Von Arx interpretuan notat më të famshme të muzikës klasike përballë publikut të veçantë. Objektivi ishte të tregohej ndikimi i muzikës klasike edhe tek kafshët.

Sipas një studimi të Universitetit të Leiçesterit në Angli, lopët që dëgjojnë muzikë klasike prodhojnë qumësht më të mirë, më cilësor.

“Zakonisht refuzoj të luaj përpara një publiku që vetëm ha, por për lopët bëra një përjashtim. Fundja fare, të paktën nuk flasin gjatë koncertit”, thotë me shaka gjermani Kern.

Top Channel