Kosova solidarizohet me Tetovën, ngushëllime nga krerët më të lartë të vendit

04/08/2015 00:00

Autoritetet kosovare ngushëllojnë familjarët e viktimave në Tetovë si dhe Qeverinë e Maqedonisë.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, përmes një telegrami dërguar Qeverisë së Maqedonisë, ka shprehur keqardhjen e thellë për vërshimet me pasoja në njerëz, që kanë ndodhur në qytetin e Tetovës, në Maqedoni.

Kryeministri Mustafa ka shprehur gjithashtu gatishmërinë e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, që të ofrojë çdo lloj ndihme brenda mundësive të saj për Republikën e Maqedonisë, në tejkalimin e kësaj situate.

Në emër të qytetarëve të Kosovës dhe institucioneve të saj, ngushëllime ka shprehur edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

“Në këto çaste të dhimbjes së thellë, populli dhe institucionet e Kosovës janë me familjet e atyre që humbën jetën, në vërshimet dhe përmbytjet e rënda që goditën qytetin e Tetovës”, thuhet ndër të tjera në letrën e ngushëllimit të Jahjagës.

I prekur nga kjo fatkeqësi natyrore ka mbetur edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili i fton qytetarët shqiptarë të tregojnë edhe njëherë solidaritetin e tyre dhe t’u daliin në ndihmë qytetarëve të prekur nga kjo fatkeqësi.

Top Channel