Studimi: Kosova me deputetët më të papërgatitur dhe ‘dezertorë’

04/08/2015 00:00

Deputetët e Kosovës janë më të papërgatiturit në rajon, ndërsa zënë vendin e parë për lëvizje nga një parti në tjetrën.

Këto të dhëna janë paraqitur nga një hulumtim i kryer nga organizata “KIPRED”, që ka studiuar sfondin politik dhe aktivitetet e kandidatëve për deputetë nga Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina.

Sipas raportit të “KIPRED”, kandidatët për deputetë nga Kosova prijnë në rajon me përdorimin e rrjeteve sociale.

Nga pyetësori ka dalë se, kandidatët për deputetë nga Kosova janë më pak të angazhuar në shoqata biznesi, ato sportive, shoqatat për të drejtat e njeriut, ato fetare apo të mjedisit të hapur.

Gjatë prezantimit të raportit, Gent Gjikolli nga “KIPRED” tha se, kandidatët më optimistë për të fituar zgjedhjet e radhës janë ata nga Mali i Zi, e pastaj vijnë kosovarët.

“Sa u përket shpenzimeve, të cilat i kanë bërë gjatë fushatës zgjedhore, mund të themi që kandidatët për deputetë nga Bosnje-Hercegovina kanë shpenzuar më shumë: 7 mijë e 500 euro rezulton të kenë shpenzuar gjatë fushatës zgjedhore. Më pas vijnë deputetët nga Kosova, nga 4 mijë e 100 euro si mesatare; të cilët ndiqen nga Mali i Zi, me 2 mijë e 400 euro, dhe ata nga Serbia, me nga 1 mijë euro”, tha Gent Gjikolli.

Sa i përket demokracisë dhe përfaqësimit, ka rezultuar se, pothuajse të gjithë të anketuarit janë të pakënaqur me mënyrën, sesi funksionon demokracia në vendet e tyre.

Blerim Myrtezi tregoi se, nga pyetësori ka dalë që deputetët nga Kosova kanë interesimin më të madh për anëtarësim në Bashkimin Europian.

“Anëtarësimi në Bashkimin Europian del të jetë një objektiv më i çmuar për deputetët nga Kosova, sesa për deputetët nga vendet në fjalë. Gjithashtu, të anketuarit nga Kosova janë më të kënaqur me sundimin e demokracisë në vendet e BE-së, në krahasim me deputetët nga Bosnje-Hercegovina, Serbia dhe Mali i Zi. Në përgjithësi, të anketuarit i shohin Bashkimin Europian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar si mjete shpëtimi nga kriza ekonomike”, tha Blerim Myrtezi, sërish nga “KIPRED”.

Ky hulumtim është pjesë e një projekti studiues rajonal për ndikimin e votës personale në demokracinë e brendshme të partive politike, që mbështetet nga qeveria zvicerane.

Top Channel