Deputeti gjerman që hapi dyert e shtëpisë për refugjatët

04/08/2015 00:00

Një deputet konservator gjerman, Martin Patzelt ka marrë dy refugjatë nga Eritrea në shtëpinë e tij dhe po i ndihmon ata që të gjejnë punë në Gjermani.

Patzelt, nga radhët e Kristian Demokratëve të Angela Merkel, jeton në afërsi të qytetit të Frankfurtit. Dy të rinjtë nga vendi afrikan qëndrojnë në shtëpinë e tij prej një muaji.

“Nisma të tilla ndihmojnë në eleminimin e polarizimit dhe armiqësisë kundrejt emigrantëve”, tha deputeti për televizionin gjerman “ARD”.

Zoti Patzelt ka një shtëpi të madhe në lokalitetin Brizen dhe dy mysafirët e tij, Haben 19 dhe Awet, 24 vjeç jetojnë në katin e sipërm të saj, bashkë me një prej djemve të politikanit.

Ai i takoi ata për herë tek kisha katolike dhe i ftoi ata që të vinin sërish, për t’u bërë më pas ofertën për të qëndruar në shtëpinë e tij.

Dy të rinjtë afrikanë komunikojnë përmes një anglishteje të çalë, por janë duke marrë mësime gjermanishteje, raportojnë mediat gjermane.

Njëri prej tyre ka gjetur përkohësisht punë në administratën lokale, ndërsa tjetri në një supermarket falë ndihmës së zotit Patzelt.

“Partneriteti, ofrimi i strehimit dhe kujdesi për njerëzit përbëjnë ura të vogla komunikimi që u mundësojnë refugjatëve të kenë një fytyrë dhe një emër dhe të mos klasifikohen me turmat e azilkërkuesve”, ka thënë Patzelt.

Top Channel