Jemen, ushtria dëbon rebelët nga baza ajrore; bilanc i rëndë viktimash

04/08/2015 00:00

Trupat pro-qeveritare në Jemen kanë rimarrë nën kontroll bazën më të madhe ajrore të vendit pas një beteje të gjatë e të ashpër me rebelët e etnisë Houthi.

Autoritetet lokale kanë folur për një numër të lartë viktimash të verifikuara gjatë betejës në bazën Al Anad, në veri të Adenit.

Marrja nën kontroll e saj vjen pasi forcat pro-qeveritare, të mbështetura nga ajri nga koalicioni arab, rimorën qytetin e Adenit dy javë më parë.

Sauditët po udhëheqin fushatën për mposhtjen e rebelëve, që kontrollojnë shumicën e territorit jemenas dhe të rindërtojnë qeverinë e këtij vendi.

Trupa dhe autoblinda nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një anëtar kyç i koalicionit, raportohet se kanë mbërritur gjithashtu në Aden në ditët e fundit.

Autoritete ushtarake të cituara nga “Associated Press” kanë deklaruar se, trupa të huaja po ndihmojnë ato pro-qeveritare përmes armëve të sofistikuara, përfshirë këtu tanket.

“New York Times” raporton se trupat e huaja kanë marrë pjesë edhe në luftime, por një zyrtar jemenas tha se ata kanë shërbyer më tepër si këshilltarë sesa si operativë.

Top Channel