Turqia vijon me sulmet ajrore ndaj kampeve të PKK

04/08/2015 00:00

Avionët luftarakë të Turqisë kanë goditur objektiva të rebelëve kurdë në Juglindje të vendit gjatë së martës, siç raporton agjencia e lajmeve “Dogan”, pak çaste nga vdekja e dy ushtarëve të vrarë nga një minë e hedhur prej militantëve në provincën fqinje.

Avionët “F16” kanë zhvilluar një ofensivë 35-minutëshe ndaj objektivave të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) në Daglica të provincës Hakkari, pranë kufirit me Irakun, malet veriore të së cilës ofrojnë një ambient thuajse komod për strehim ndaj kryengritësve kurdë.

Dhuna është përshkallëzuar në Turqinë lindore që prej muajit të fundit, kur partia e jashtëligjshme PKK iu rikthye sulmeve kundër forcave turke të sigurisë, ndërsa Ankaraja iu përgjigj reciprokisht me sulme ajrore ndaj luftëtarëve të tyre në Turqi dhe në Irakun verior.

Një zyrtar i lartë i BE-së shprehu shqetësimin se dhuna mund të rrezikojë përpjekjet për t’i dhënë fund kryengritjes prej 3 dekadash të PKK-së. Mundësia e trazirave në vendin që kufizohet si me Irakun edhe me Sirinë, të dyja këto shtete nën fokusin e aktivitetit të Shtetit Islamik, ka ngjallur shqetësim të gjerë edhe mes aleatëve të NATO-s.

Pak përpara sulmeve ajrore, dy ushtarë të tjerë u vranë, kur mjeti ushtarak me të cilin po udhëtonin, shkeli mbi një minë të telekomanduar artizanale, të vendosur nga PKK-ja në provincën fqinje të Sirnakut, njoftoi ushtria. Dy pjesëtarë të tjerë të personelit të sigurisë u plagosën nga ky incident.

Viktimat e sotëm e çojnë numrin e të vrarëve mes forcave të sigurisë së Turqisë nga PKK-ja, që prej 20 korrikut, në të paktën 18 të tillë, duke shënuar kështu situatën gjakderdhëse më të rëndë që prej armëpushimit të dakordësuar në vitin 2013.

PKK njoftoi se do të përshkallëzonte sulmet në mesin e korrikut, për shkak të asaj që ata e konsiderojnë si shkelje të armëpushimit nga shteti turk. Dhuna është intensifikuar, që kur Turqia nisi fushatën e sulmeve ajrore kundër kampeve të PKK-së në veri të Irakut më 24 korrik, në atë që kryeministri i vendit, Ahmet Davutoglu, e quajti si “luftë e sinkronizuar kundër terrorizmit”.

Avionët luftarakë të Turqisë kanë goditur edhe pozicionet e Shtetit Islamik në Siri, ndërsa Turqia ka vendosur në shërbim të koalicionit të udhëhequr prej SHBA-ve edhe bazën ajrore të Inçirlikut, për të vijuar ofensivën ajrore ndaj ISIS.

Ministri turk i Energjisë tha se PKK ka sabotuar naftësjellësin e Shah Denizit, që furnizon me gaz natyror nga Azerbajxhani, disa ditë pasi sulmuan një tubacion, që sillte naftë të papërpunuar në Turqi nga Iraku.

Top Channel