Gjykata Speciale, opozita nuk dorëzohet. Gati ta dërgojë në Kushtetuese

04/08/2015 00:00

Partitë opozitare në Kosovë nuk kanë ndërmend të zmbrapsen nga kundërshtimi i formimit të Gjykatës Speciale për krimet e luftës.

Shefat e grupeve parlamentare opozitare kanë konfirmuar se, do të dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar faktin sesi qëndron amendamenti 24 i Kushtetutës së Kosovës në raport me aktin më të lartë juridik të shtetit, me sovranitetin e vendit, si dhe me juridiksionin e sistemit të drejtësisë në vend.

“Dje kemi pasur një takim të opozitës në nivel të udhëheqësve dhe shefave të grupeve parlamentare të të tri subjekteve opozitare. Kemi dalë në përfundimin, që kjo çështje të ndiqet nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese dhe mendojmë se ditën e djeshme ka pasur shkelje proceduriale. Por edhe niveli përmbajtësor, që është trajtuar të hënën dhe më pas është votuar, paraqet problem në raport me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Siç edhe e dini, herën e parë kur Presidentja e pati dërguar amendamentin për shqyrtim nga Kushtetuesja, gjykata e ka shqyrtuar në raport me kapitullin e dytë të Kushtetutës, sesi ai amendament qëndron me të drejtat e njeriut. Tani kemi nevojë ta shqyrtojmë në përgjithësi këtë amendament, në raport me Kushtetutën e sovranitetin dhe sidomos me juridiksionin e sistemit tonë gjyqësor”, tha Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të Vetëvendosjes.

“Ne do të ndjekim të gjitha format demokratike, sepse ju e dini që shumica e gazetarëve na kanë akuzuar duke aluduar se do ta pengonim seancën me mënyra të dhunshme, por rezultoi e pavërtetë. Ne do të ndjekim të gjitha procedurat demokratike që na takojnë, për të shkuar deri në përfundimin që edhe njëherë t’iua dëshmojmë të gjithë qytetarëve, por edhe ndërkombëtarëve, ashtu sikurse edhe vetë koalicionit, që kanë bërë një shkelje të të gjitha formave demokratike me sjelljen e amendamentit dhe sjelljen e projektligjeve për së dyti në Kuvend”, tha Valdete Bajrami, shefe e grupit parlamentar të “Nismës për Kosovën”.

Përfaqësuesit e opozitës kanë angazhuar ekspertët juridikë të tyre, për të studiuar dhe përgatitur lëndën, që mendojnë ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese gjatë ditëve të ardhshme.

Top Channel