Përmbytjet në Tetovë, Qeveria akordon nga 30 mijë denarë si ndihmë fillestare

04/08/2015 00:00

Qeveria e Republikës së Maqedonisë do t’i skanojë të gjitha dëmet, që janë shkaktuar nga përmbytjet e ditës së hënë në Komunën e Tetovës. Kjo është vendosur në seancën e sotme të jashtëzakonshme të qeverisë, kushtuar situatës në Tetovë e rrethinat e saj.

Përfaqësues të Qeverisë kanë informuar se është formuar komisioni qeveritar, që do merret me vlerësimin e dëmeve materiale të shkaktuara nga vërshimet, të cilat do të kompensohen në tërësi.

Raportohet se, Qeveria ka sjellë edhe një vendim për ndihmë financiare fillestare prej 30 mijë denarë (534 dollarë), që do u ndahet familjeve të dëmtuara nga vërshimet, e më pas do të vijojë vlerësimi i dëmeve.

Qeveria ka sjellë edhe vendime të tjera, që kanë të bëjnë me ndihmën që do t’u ofrohet banorëve të prekur nga kjo fatkeqësi, si dhe me aktivitetet për kthimin e kushteve jetësore në normalitet.

Ndërkohë raportohet se, rreth 25 familje nga fshati më i dëmtuar nga përmbytjet, Shipkovica e Malësisë së Tetovës, i kanë braktisur shtëpitë e tyre. Një pjesë e tyre janë zhvendosur te të afërmit brenda fshatit, kurse një pjesë tjetër janë zhvendosur te familjarët e tyre në Tetovë dhe fshatrat përreth.

“Më shumë se 20 shtëpi janë të dëmtuara dhe brenda tyre nuk ka kushte minimale jetese. Pjesa më e madhe e banorëve të këtyre shtëpive janë zhvendosur te familjarët e tyre brenda fshatit, kurse disa kanë shkuar edhe në fshatra të tjera”, ka thënë për mediat kryetari i Këshillit të Emergjencës nga ky fshat, Dashmir Sadiku.

Top Channel