Korrupsioni në EULEX, prokurorja Bamieh: Shantazhi, për të më detyruar të hesht

04/08/2015 00:00

Misioni më i madh i huaj i Bashkimit Europian i dërguar në ndonjë vend, akuzohet se ka shfrytëzuar pushtetin që zotëron, në përpjekje për të heshtur një informatore, e cila pretendon se ka zbuluar provat e një korrupsioni të mundshëm.

EULEX-i, misioni i BE-së në Kosovë, është paditur në një tribunal punësimi, nga prokurorja me banim në Londër, Maria Bamieh. Në një shkrim të britanikes “the Guardian”, ajo pretendon se është detyruar të largohet nga puna e saj si prokurore, pasi ekspozoi provat e një marrjeje ryshfeti nga zyrtarë më të lartë të stafit të misionit.

Por, së fundi, Bamieh dhe avokati i saj janë paralajmëruar formalisht nga EULEX, se do të ndiqen penalisht dhe do të burgosen, nëse nxjerrin në pah të tjera detaje të marrëdhënies së saj të punësimit me “palë të treta”, përfshi edhe dëshmitarë potencialë.

Mundësia e një ndjekjeje penale në Kosovë është tepër serioze, duke qenë se hetimet ndiqen nga prokurorë dhe gjykatës të EULEX-it. Ky mision ka fuqinë të aplikojë për ekstradimin e ndonjë të dyshuari nga Britania e Madhe, apo të aplikojë për ndonjë urdhërarresti europian.

Top Channel