Jahjaga-Hoyt Yee, bisedë telefonike për Specialen dhe integrimin europian

04/08/2015 00:00

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka zhvilluar një bisedë telefonike me zëvendës-ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Hoyt Yee, në vazhdimësi të përpjekjeve të institucioneve të Kosovës për të përmbushur detyrimet ndërkombëtare.

Sipas një komunikate për media, Jahjaga dhe Yee theksuan gjatë bisedës rëndësinë e votimit të Gjykatës Speciale, që adreson akuzat nga raporti i Këshillit të Evropës, por që thekson njëkohësisht përkushtimin e popullit dhe të institucioneve të Kosovës për drejtësi.

Të dy bashkëbiseduesit theksuan se, me miratimin e Gjykatës Speciale në Kuvend, Kosova po tregon përkushtimin e saj për përmbushjen e detyrimeve të marra ndërkombëtare dhe përgjegjshmëri shtetërore.

Jahjaga dhe zëvendës-ndihmës sekretari Yee biseduan edhe për përparimin në proceset e integrimit evropian, në veçanti përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, vazhdimin e konsolidimit ndërkombëtar të vendit dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

Sipas komunikatës, zëvendës-ndihmës sekretari Yee i ka thënë Jahjagës se, SHBA-të do të jenë përkrah Kosovës në proceset e rëndësishme të zhvillimit demokratik të saj, si dhe se do ta mbështesin në rrugën e integrimit.

Top Channel