Mosrealizimi i të ardhurave, ekspertët: Rriten rreziqet për financat dhe ekonominë

04/08/2015 00:00

Ekspertët paralajmërojnë se ecuria e dobët e të ardhurave nga taksat mund të rrisë rreziqet për ekonominë dhe stabilitetin financiar të vendit.

“Risku mbetet shumë i madh në 6 muajt e tjerë. Nëse në 6 muajt e tjerë pritet të mblidhen 210 miliardë dhe vitin e shkuar janë mbledhur diku te 180 miliardë, kuptohet që kjo diferencë prej 30 miliardësh është e gjitha në diskutim”, thotë Olti Rrumbullaku, ekspert i financave publike.

Në gjysmën  e parë të vitit të ardhurat nga tatimet dhe doganat ishin 13.4 miliardë lekë më të ulëta se plani dhe gati në të njëtin nivel me një vit më parë. Për Artan Hoxhën shkaqet janë dy.

“Politika fiskale e qeverisë me rëndim të barrës fiskale dhe ristrukturimi apo rilindja e dështuar e administratës fiskale”, thotë Artan Hoxha, ekspert i ekonomisë.

Mosrealizimet më të mëdha janë tek tatimi mbi vlerën e shtuar dhe akciza, taksa e cila vendoset mbi mallrat e fortë si alkooli, karburantet dhe cigaret.

“Qeveria duhet të reflektonte njëkohësisht në të dyja drejtimet, edhe në rishkimin e politikës fiskale, gjë që e ka shtyrë megjithë kërkesën e FMN-së, dhe me rishikimin e disiplinës fiskale, duke konsideruar që disiplina e administratës fiskale është shthurur dhe me gjasa janë hapur kanale komunikimi të evazionit”, thotë Hoxha.

Shqipëria është në një marrëveshje me Fondin Monëtar Ndërkombëtar. Në themel të marrëveshje është ulja e borxhit publik sipas një programi të paracaktuar.

“Programi është vënë në rrezik në të paktën një nga dimensionet e tij, nëse nuk realizohen të ardhurat, do shkurtohen shpenzimet për të ruajtur defiçitin”, deklaron eksperti Hoxha.

Përjashto vitin e kaluar, investimet publike ishin në gjashtë muajt e parë më të ulëtat që nga 2008-a.

“Ne vitet e fundit kemi pasur një pjesë të madhe të rritjes ekonomike për shkak të investimeve dhe në momentin që të ardhurat reflektojnë të njëjtën sjellje si vitet e mëparshme atëherë e vetmja rrugë mbetet borxhi dhe borxhi është tashmë i mbipërdorur”, thotë Olti Rrumbullaku.

Pak ditë më parë kryeministri njoftoi se qeveria do të ndërmarrë një aksion kombëtar në luftën kundër evazionit.

Top Channel