Udhëtimi i dytë i Veliajt me autobus: Do lirojmë hapësirat publike

04/08/2015 00:00

Me një rrugë, Erion Veliaj ka bërë tre punë. Ai zgjodhi linjën Qendër-Kombinat për të shkuar në njësinë 7 për të prezantuar administroren e re, Gjinovefa Kadria.

Vend të lirë në autobusin pa kondicioner nuk gjeti gjatë inspektimit të shkurtër që i bëri linjës, por kjo nuk e dekurajoi për të kërkuar nga administratorët e rinj standardet më të larta në shërbimin ndaj qytetarëve.

“Minimalisht ju detyrohemi t’i dëgjojmë me respekt dhe nëse nuk problemin nuk e zgjidhim dot ne, t’i drejtojmë në vendin ku zgjidhet. Por telefonat mbyllur, njerëz që nuk kthejnë përgjigjie, njerëz që nuk kthejnë përgjigjie, unë nuk do të toleroj”, tha Veliaj.

Nga njësia 7 prej nga nisi turin e prezantimit të administratorëve, Erion Veliaj ka pritshmëri të larta, veçanërisht tani që e konsideron qytetin në emergjencë. Kryefjala për muajin gusht është pastrimi i qytetit.

“Secili prej jush të jetë syri dhe veshi ynë në terren për të inspektuar që kompanitë e pastrimit pas ultimatumit që morën dje pastrojnë qytetin sipas kontratës që kanë nënshkruar, për të siguruar që i gjithë territori është nën kontroll të pastrimit dhe për t’i siguruar që në një periudhë, ndoshta në shtator, ne të ftojmë të gjithë komunitetin e Tiranës në një aksion të jashtëzakonshëm pastrimi, përfshirë këtu edhe qytetarët”, shtoi Veliaj.

Muaji gusht nuk do të jetë kohë pushimi për ata që punojmë për bashkinë. Në axhendën e kryebashkiakut emergjencat për zgjdhje  janë disa.

“Operacioni për lirimin e trotuareve, operacioni për lirimin e shesheve ku duhet të luajnë fëmijët dhe jo subjektet tregtare dhe lirimin e vendeve të parkimit. E gjithë historia e zënies me mjete rrethanore, me copa betoni, kangjella, vazo, të gjitha këto do të largohen. Të jeni në gatishmëri të plotë për këto 3 operacione”, kërkoi Veliaj.

Gushti nuk do të jetë pushim edhe sepse qyteti duhet të bëhet gati për hapjen e shkollave. Te “Dhora Leka”, ku bëri inspektimin e radhës, i asistuar edhe nga stafi teknik i ish-kryebashkiakut Basha, Erion Veliaj, bëri një premtim për prinderit dhe nxënësit.

“Puna vazhdon normalisht, nuk do të ketë asnjë ditë ndërprerje për t’u siguruar që pasi qytetarët dhe familjarët të jenë kthyer nga pushimet, të gjejnë kopshtet, çerdhet dhe shkollat në standarde që janë dinjitoze për kryeqytetin. Bëjmë inspektimet e nevojshme për t’u siguruar që asgjë nuk mungon për më të vegjlit e qytetit tonë”, u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës.

Top Channel