Analistët, për gabimet e BE-së: Rrezikohet një “Greqi e dytë”

04/08/2015 00:00

Një analizë e “The Guardian” i hedh sërish dritë rastit të borxhit grek, pjesa më e vështirë e të cilit duket se ka kaluar. Por, sipas ish-Presidentit të Komisionit Europian, Jaques Delors, dhe ekonomistit Henrik Enderlain, për të shmangur një “Greqi të dytë” kjo situatë duhet parë me largpamësi.

Në analizën e tyre për prestigjiozen britanike, vetëkënaqësia që Bashkimi Europian po përjeton tani, për faktin se shteti helen nuk doli nga Eurozona, është një nga paralajmëruesit e parë për një rrezik të radhës.

Ata shtrojnë tezën se, shumë njerëz në Europë kanë interes ta cilësojnë Greqinë si një rast të veçantë e të izoluar, por sipas ekspertëve të fushës, kriza greke është tregues i mosmarrëveshjeve parimore, të cilat vënë në funksion Eurozonën.

Delors dhe Enderlain gjykojnë se unioni 28-kombësh ka nevojë për një investim të madh, që të arrijë të shmangë një tjetër skenar të dhimbshëm si i Greqisë. Një kombinim i më shumë investimeve, reformave apo zgjerimin e integrimit, duke u bazuar në bashkëpunimin shumë herë më të fortë franko-gjerman, shihet nga ta si çelësi që Europa të marrë një drejtim të mbarë.

Më tej, ish-Presidenti i Komisionit Europian dhe ekonomisti Enderlain cilësojnë si rrezik të dytë të unionit, faktin se në mënyrë të vazhdueshme askush nga përfaqësuesit e tij nuk merr përgjegjësinë e veprimit, duke i hedhur fajin njëri-tjetrit. Kjo ndodhi edhe në rastin e Greqisë, kur Athina akuzonte vazhdimisht Bashkimin Europian, ndërsa përfaqësuesit e këtij të fundit thoshin se po vuajnë pasojat e mungesës së bashkëpunimit nga ana e qeverisë greke.

Ndërkaq, si rrezik i tretë shihen vendimet e cilësuara si “të minutës së fundit”, të cilat me eksperiencën e viteve kanë rezultuar se sjellin implikime të mëdha. Po ashtu, roli i Francës dhe Gjermanisë konsiderohet si kyç për vendosjen e projektit të Europës në rrugë të mbarë.

Por, sipas analizës së “The Guardian”, kjo kërkon evitimin në maksimum të deklaratave të përbashkëta, që shpesh fshehin mosmarrëveshjet, e në vend të tyre, udhëheqësit e këtyre vendeve duhet të përdorin gjuhën e drejtpërdrejtë.

Në këtë kontekst, Jaques Delors dhe Henrik Enderlain këshillojnë se duhen zbatuar reforma ekonomike, politike, por edhe reforma sociale, me qëllim për të ndërtuar një axhendë të re të bazuar në një model të lartë të standardeve rregullatore europiane.

Top Channel