Greqia dhe huadhënësit zbusin tonet: Së shpejti nënshkruhet marrëveshja

04/08/2015 00:00

Si Greqia, ashtu edhe huadhënësit e saj janë shprehur këtë të martë me tone optimiste në lidhje me arritjen e një marrëveshjeje të mundshme brenda pak ditëve, mbi ndihmën disa miliardë euroshe, duke shënuar kështu këtë ndryshim toni disi të çuditshëm, në një proces që deri pak javë më parë ishte i mbushur me pakënaqësira dhe hidhërim.

Një ndihmë shpëtimi prej rreth 86 miliardë eurosh duhet të arrihet brenda 20 gushtit, ose një hua e dytë ndërmjetëse të dakordësohet, nëse Greqia do të dojë të tregojë gatishmëri në përmbushjen e detyrimit prej 3,5 miliardë euro ndaj Bankës Qendrore Europiane, që maturohet pikërisht në ditën e sipërpërmendur.

Pas përfundimit të një dite të gjatë bisedimesh në Athinë, ministri grek i Financave, Euclid Tsakalotos, tha se negociatat janë duke shkuar më mirë nga sa parashikohej. Në Bruksel, një zyrtar i Komisionit Europian tha se “ishin të inkurajuar” nga progresi i bërë.

“Jemi duke shkuar në drejtimin e duhur dhe puna intensive po vazhdon”, tha zëdhënësja e KE-së, Mina Andreeva, për “Reuters”.

Kjo do të jetë shuma e tretë e borxheve ndihmëse që prej vitit 2010 për Greqinë, e cila projektohet të shmangë falimentimin e vendit helen dhe ta mbajë atë ende pjesë të Eurozonës.

Negociatat kanë qenë torturuese në të kaluarën, duke ngecur gjithnjë për disa çështje vogëlsirash në lidhje me reformat, duke nisur nga ajo e pensioneve e deri te oraret ditore të punës. Thuajse për pjesën më të madhe të këtij viti, negociatat u mbushën edhe me shpërthime zemërimi në lidhje me përgjegjësinë, sovranitetin dhe deri te shantazhi.

Gjithsesi, burimet në palën e huadhënësve thonë se grekët janë treguar “shumë, por shumë bashkëpunues” në bisedimet e fundit, që nisën gjatë javës së fundit të korrikut, pas disa javësh bllokimi mbi kushtet e shpëtimit.

“Ata janë duke punuar në mënyrë të frytshme tashmë”, tha një zyrtar i Eurozonës. “Mendoj se kryeministri Tsipras u ka thënë ministrave të tij të bashkëpunojnë e jo të kundërshtojnë”.

Top Channel