Kerry-Lavrov, sërish takim në Malajzi pas Katarit. Diskutime për Sirinë dhe ISIS

05/08/2015 00:00

Kryediplomati amerikan, John Kerry, pritet të takohet gjatë kësaj të mërkure me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, për të dytën herë gjatë 3 ditëve të fundit, teksa diplomati rus është përpjekur të afrojë Sirinë me shtetet e tjera të rajonit për të krijuar një aleancë që do të luftonte me efikasitet militantët e Shtetit Islamik.

Kerry dhe Lavrov pritet të “diskutojnë një sërë çështjesh me interes të përbashkët” në takimin që do të kenë në kryeqytetin malajzian, Kuala Lumpur, bëri të ditur një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, pa zbuluar detaje të mëtejshme.

Kerry, i cili ndodhet në Malajzi për takime me Federatën e Kombeve të Azisë Juglindore, zhvilloi bisedime tripalëshe me Lavrovin dhe ministrin e Jashtëm saudit, Adel al-Jubeir, në lidhje me luftën në Siri, teksa ndodhej në Katar gjatë së hënës.

Rusia është përpjekur t’i përafrojë qëndrimet mes qeverisë siriane dhe shteteve rajonale, përfshi edhe Arabinë Saudite e Turqinë, në mënyrë që të formojnë një aleancë të përbashkët për të luftuar xhihadistët e ISIS, të cilët kanë marrë territore të konsiderueshme në Siri, duke përfituar edhe nga lufta civile në këtë vend.

Kerry është takuar edhe me ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, në Kuala Lumpur gjatë së mërkurës. Në fillim të takimit, turku Cavusoglu është pyetur nga një reporter se kur do të mund të krijohet një forcë opozitare e moderuar siriane në zonën mbrojtëse të ndalim fluturimit në veri të Sirisë, që Turqia dhe Shtetet e Bashkuara synojnë të krijojnë.

“Tani për tani jemi duke trajnuar dhe duke pajisur opozitën e moderuar së bashku me SHBA-të dhe së shpejti do të fillojmë edhe luftën tonë kundër Daesh, e cila do të jetë shumë efektive”, tha ai duke iu referuar Shtetit Islamik me termin arab “Daesh”. “Më pas, terreni do të jetë tepër i sigurt për opozitën e moderuar, e cila është duke luftuar Daeshin në terren”.

Një zyrtar i lartë i DASH tha se, gjatë takimit në Katar, diplomatët Kerry, Jubeir dhe Lavrov “pranuan nevojën e një zgjidhjeje politike për konfliktin sirian dhe se një rol të rëndësishëm për këtë duhet ta luajnë grupet opozitare”.

Top Channel