Specialja, Mustafa informon kabinetin për bisedën me Hoyt Yee

05/08/2015 00:00

Në mbledhjen e Qeverisë të kësaj të mërkure, kryeministri Isa Mustafa i tha kabinetit të tij se, ditën e djeshme ka pasur një bisedë telefonike me zv.ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, Hoyt Yee, i cili ka shprehur mirënjohjen për Kuvendin dhe Qeverinë për miratimin e Gjykatës Speciale.

Mustafa tha se ka marrë garanci nga Yee, se SHBA-të do të vazhdojnë mbështetjen për Kosovën në integrimin euroatlantik të saj, për ndërtimin e demokracisë dhe zhvillimin ekonomik.

Po gjatë së martës, zyrtari amerikan ka pasur një seri telefonatash me udhëheqës të tjerë të Kosovës, teksa ka telefonuar edhe Presidenten Jahjaga dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.

Në njoftimin pas bisedës së Veselit thuhet se “Yee përgëzoi kryetarin Veseli për udhëheqjen e treguar në drejtimin e procesit parlamentar të ndryshimeve kushtetuese dhe formimit të Gjykatës Speciale”.

Më tutje, Yee theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë t’i qëndrojnë pranë shtetit të Kosovës në të gjitha proceset e integrimit europian, zhvillimit ekonomik dhe në formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Kryetari Veseli falënderoi zotin Yee për përkrahjen e vazhdueshme dhe të pakursyer, që SHBA-të po i japin Kosovës, duke shprehur besimin se Kosova dhe SHBA-të do të vazhdojnë të ecin së bashku në të gjitha sfidat me të cilat përballet vendi.

Top Channel