Kufiri Kosovë-Mali i Zi; Mustafa: Jemi gati të nënshkruajmë marrëveshjen

05/08/2015 00:00

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se është e gatshme të përmbyllë procesin e përcaktimit të kufirit ndërshtetëror mes Kosovës dhe Malit të Zi. Kryeministri Isa Mustafa, në mbledhjen e kabinetit qeveritar tha se, lidhja e marrëveshjes mes Podgoricës dhe Prishtinës shënon përkufizimin e shtetit të Kosovës.

“Konsideroj se kjo nismë për nënshkrimin e marrëveshjes me Malin e Zi është tepër e rëndësishme për zhvillimin tonë. Kjo, sepse shënon përkufizimin shtetëror të shtetit tonë me vendet fqinje dhe ndërtimin e marrëdhënieve të reja, mbi bazën e respektimit të kufijve shtetërorë”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Ndërsa zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi ka prezantuar punën trevjeçare, që kanë bërë komisionet profesionale për shënimin e kufirit.

“Pas përmbylljes së përcaktimit të vijës kufitare me Maqedoninë, është punuar intensivisht prej tri vitesh nga ky komision, që kjo çështje të përmbyllet edhe me Malin e Zi. Komisioni ka bërë një punë profesionale, prandaj kam nderin t’iu informoj në pika të përgjithshme, rreth nismës për lidhjen e marrëveshjes për kufirin shtetëror me Malin e Zi. Marrëveshja e lartpërmendur, përveç rëndësisë dhe përmbajtjes së saj, do të avancojë edhe marrëdhëniet dypalëshe dhe të fqinjësisë së mirë mes shtetit të Kosovës dhe Malit të Zi. Përmes kësaj marrëveshjeje, ne konfirmojmë angazhimin reciprok për të kontribuuar në marrëdhëniet fqinjësore, sigurinë, stabilitetin e bashkëpunimin rajonal, por edhe më gjerë”, tha Hashim Thaçi, zv.kryeministër i Kosovës.

Marrëveshja për përcaktimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi duhet t’i nënshtrohet ratifikimit nga Kuvendi i Kosovës, e po ashtu edhe nga Kuvendi i Malit të Zi, por krerët e qeverisë kosovare nuk treguan se kur do ta dërgojnë marrëveshjen për ratifikim në Kuvend.

Në mbledhjen e qeverisë u diskutua edhe për reshjet e fundit, që kanë shkaktuar dëme të mëdha.

Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi kërkoi që të ndahet një fond për kompensimin e dëmeve në bujqësi, të shkaktuara nga vërshimet, pasi – sipas tij, – ka dëme të konsiderueshme në disa komuna, por duhen bërë disa vlerësime në mënyrë që të ketë të dhëna reale për dëmet.

Kryeministri Mustafa tha se, pas vlerësimit të dëmeve do të ndahen edhe mjete për mbështetjen e të dëmtuarve. Gjithashtu, Mustafa deklaroi se Kosova ka shprehur gatishmërinë e saj për të dërguar Forcën e Sigurisë së Kosovës për të ndihmuar në Maqedoni pas vërshimeve, por deri tani nuk kanë marrë përgjigje nga Shkupi zyrtar.

Top Channel