Dëmtohet edhe Morata. Spanjolli në dyshim për Superkupën e Italisë

05/08/2015 00:00

Tek skuadra e Juventusit shtohen gjithnjë e më shumë problemet me dëmtimet.

Pas atyre të Kielinit dhe Kedirës, trajneri i Zonjës së Vjetër, Massimiliano Allegri rrezikon të humbasë edhe Alvaro Moratën në ndeshjen e Superkupës së Italisë ndaj Lazios, që do të luhet ditën e shtunë.

Sulmuesi spanjoll u detyrua të ndërpresë seancën stërvitore të radhës, për shkak të një problemi të shfaqur në pulpën e këmbës së djathtë.

Futbollisti shumë shpejt pritet t’u nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore, që do të përcaktojnë shkallën e dëmtimit të tij. Nëse do të konfirmohet frika e stafit teknik të Juventusit, atëherë Morata nuk do të luajë ndaj bardhekaltërve. Allegri pritet të përdorë në këtë rast kartën Dibala që mund të luajë përkrah Mario Mandzukic.

Nëse do të riaftësohet edhe Barzali, atëherë Allegri do të aplikojë skemën 3-5-2 me Kaseres e Bonucin në mbrojtje dhe me Lihshtajner, Sturaron, Markision, Pogba dhe Evra në mesfushë.

Top Channel