BBC: Suedia, “parajsa” e emigrantëve; Dëshmia e shqiptarit: Ushqime të skaduara

05/08/2015 00:00

Suedia është një tjetër vend europian, i cili është përballur me valën e emigrantëve të ardhur nga Europa, por edhe nga jashtë saj.

Një vend, i cili ndryshe nga çfarë ndodh në Calais (Kale) apo bllokimet në tunelin që të dërgon në Angli (ai i La Manshit për francezët dhe English Channel për britanikët), ka ndjekur një tjetër rrugë për ata që shkojnë atje, duke u përpjekur t’u vijë në ndihmë.

Një editorial i BBC-së sjell në vëmendje njerëz, të cilët tanimë kanë filluar të integrohen në jetën e vendit. Një person, që di të flasë mirë anglisht, thuhet se aty e ka më të lehtë diçka të tillë.

Vetëm gjatë vitit 2014, numri i azilantëve që aplikuan dhe u pranuan në Suedi ishte 30 mijë e 650, shkruan artikulli, ndërkohë që Anglia ka pranuar vetëm 10 mijë e 50 të tillë. Nga këta – vijon BBC, – gjysmës së azilantëve nga Siria iu dha leje qëndrimi 3-vjeçare dhe pjesës tjetër për sa të duan.

Sipas ministrit të Drejtësisë dhe Emigracionit, kjo është një mënyrë më e mirë sesa bllokimi dhe mërzitja e atyre që kërkojnë azil, kurse demokratët suedezë nga ana tjetër, pjesë e frontit opozitar që nuk i kanë mbështetur politikat ndaj azilantëve në vend, kur u pyetën, deklaruan se metoda e “derës së hapur” që po përdor vendi i inkurajon njerëzit e dëshpëruar të marrin përsipër rreziqe, sikurse të kalojnë shkretëtirën në këmbë, apo të kapërcejnë detin Mesdhe me varka aspak të sigurta.

Për Top Channel, një shqiptar i ndodhur në qendrat mikpritëse të vendit, ka pohuar se kushtet janë mjaft të vështira dhe ushqimi është jashtë standardeve. “Ne nuk mund të ankohemi – shkruan personi me inicialet V.I., – nga frika se mos na kthejnë dhe kjo ndienjë ekziston te të gjithë sa jemi këtu”. Për të demostruar këtë, ai ka dërguar edhe një foto, ku tregohet ushqimi i ambalazhuar, mbi të cilin qëndron stampuar data e skadimit, që është 30 korrik, dhe ushqimi i është servirur në datën 2 gusht.

Top Channel