Prishtinë, tender për autobusë të rinj urbanë. Bileta elektronike për pasagjerët

05/08/2015 00:00

Komuna e Prishtinës ka hapur një tender për 51 autobusë të rinj, pasi planifikon të hapë edhe linja të reja të transportit urban. Me këtë zhvillim do të bëhet edhe hyrja me biletë elektronike, që sipas zyrtarëve të komunës do të hyjë në funksion nga pranvera e vitit të ardhshëm.

Këtë ndryshim e kanë mirëpritur edhe qytetarët, të cilët përdorin autobusët e linjave urbane. Madje, ata thonë se kjo do t’u lehtësojë punë edhe qytetarëve, që vijnë në Prishtinë nga qytetet e tjera.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu tha se, ky plan i qëndrueshëm i transportit publik do të nisë vitin e ardhshëm.

“Puna njëvjeçare që kemi bërë në ndërtimin e modelit e huazuar nga BERZH-it, që të jetë me ne në këtë rrugëtim të reformimit të plotë të transportit publik, tashmë po jetësohet me blerjen e autobusëve, me fillimin e punës së ndërtimit të planit të qëndrueshëm të lëvizshmërisë urbane dhe me hyrjen përmes një bilete elektronike për qytetarët e Prishtinës, gjë të cilën besoj se pranverën e vitit tjetër do ta vëmë në funksion”, tha Sejdiu për “KosovaPress”.

Sejdiu tregoi gjithashtu se, këta autobusë do të kenë edhe monitorë, ku do t’u tregohet pasagjerëve se kur dhe ku do të mbërrijë autobusi. Gjithashtu do të ketë edhe ndryshim të stacioneve të autobusëve.

Tenderi për 51 autobusët e rinj do të jetë i hapur deri më 17 shtator, në orën 14:00, e menjëherë pas afatit do të bëhet vlerësimi dhe vazhdimi i procedurave, deri në finalizimin e tyre.

Top Channel