Empoli nuk heq dorë nga shqiptarët, kërkon Memushajn nga Peskara

05/08/2015 00:00

Empoli duket se është fiksuar pas shqiptarëve. Bëhet fjalë për futbollistë dhe një të tillë sapo e shiti këtë sesion merkatoje te Napoli, pikërisht mbrojtësin Elseid Hysaj, për 5 milionë euro.

Megjithatë, vendi i lënë bosh nga lojtari i përfaqësueses shqiptare pritet të zihet nga një tjetër i grumbulluar, pse jo edhe titullar në disa raste me Shqipërinë, Ledian Memushaj. Mesfushori i Peskarës duket se është gati të bëjë hapin e madh, pas sezoneve të fundit të kaluara si protagonist në Serie B, ndërkohë që është edhe një lojtar që grumbullohet shpesh nga trajneri Gianni De Biasi me kuqezinjtë.

Kontaktet me agjentin e lojtarit mësohet se kanë qenë pozitive dhe ish-lojtari i Carpit mund të vishet së shpejti me fanelën blu të klubit nga Toskana. Empoli e ka kërkuar që nga merkatoja e fundit dimërore Memushajn, por në atë kohë ekipi nga Abruzzo ku aktivizohej ai nuk dëshironte të hiqte dorë nga lojtari i lindur në ’86-n.

Top Channel