Gjykata Speciale e Kosovës, në janar 2016 ngrihen akuzat e para ndaj UÇK

05/08/2015 00:00

Pas kompletimit të bazës kushtetuese dhe ligjore për krijimin e Gjykatës Speciale, tani Bashkimi Evropian ka kohë deri në fund të këtij viti për ta bërë funksionale strukturën e re të sistemit të drejtësisë në Kosovë, që do të gjykojë krimet e supozuara të UÇK-së.

Zyrtarë të lartë kosovarë, të cilët kanë marrë pjesë në ekipin teknik për të shqyrtuar legjislacionin për Gjykatën Speciale, kanë treguar për Top Channel hapat që priten të pasojnë vendimin e Kuvendit të Kosovës për Specialen.

Sipas tyre, opozita kosovare mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese brenda 8 ditëve, për të ankimuar ligjin për Gjykatën Speciale ose mënyrën e riprocedimit, por kjo nuk e pengon procesin, pasi përmbajtja e amendamentit kushtetues nuk mund të ankimohet, sepse ajo është shqyrtuar një herë nga Kushtetuesja.

Hapi i radhës, që pritet të ndiqet nga institucionet kosovare dhe ato të Brukselit, është marrëveshja për selinë e gjykatës, e cila pritet të jetë në Hagë të Holandës. Por, Gjykata Speciale – sipas ligjit, – mund të ketë seli edhe në Kosovë.

Krahas marrëveshjes për vendndodhjen e gjykatës, bazuar në ligjin e sapomiratuar do të fillojë rekrutimi i një stafi të madh, që do të angazhohet në shërbim të Gjykatës Speciale.

I gjithë stafi do të jetë ndërkombëtar, ndërsa kosovarët në këto procese do të jenë vetëm si të akuzuar, do të ketë ndonjë avokat, apo njësitet e Policisë, që do të angazhohen të asistojnë në arrestimin e të dyshuarve.

Në ligjin për Gjykatën Speciale parashikohet i gjithë organizimi, struktura dhe kompetencat e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Sipas ligjit, Dhomat e Specializuara përbëhen nga: Dhoma e Gjykatës Themelore, Dhoma e Gjykatës së Apelit, Dhoma e Gjykatës Supreme dhe Dhoma e Gjykatës Kushtetuese, por edhe zyra administrative, ku përfshihen ajo për mbrojtjen e viktimave, zyra për mbrojtjen dhe mbështetjen e dëshmitarëve, njësia e menaxhimit të paraburgimit, si dhe zyra e Avokatit të Popullit brenda strukturës së saj.

Zyra e prokurorit të specializuar, që do të marrë mandatin dhe do të ketë personelin e “task forcës” hetimore speciale, është zyrë e pavarur për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve brenda juridiksionit të dhomave të specializuara.

Dhomat kanë këtë përbërje: kanë gjyqtarë individualë, që sipas nevojës kryejnë detyra të gjyqtarëve të procedurës paraprake; trupa gjykuese të përbëra prej 3 gjyqtarësh dhe një gjyqtari rezervë; panelet e Gjykatës së Apelit të përbëra prej 3 gjyqatarësh; panele të Gjykatës Supreme të përbëra prej 3 gjyqtarësh; panele të Gjykatës Kushtetuese të përbëra prej tre gjyqtarësh; si dhe gjyqtarë individualë, që sipas nevojës kryejnë edhe detyra të tjera, që kërkohen në ligjin për Gjykatën Speciale.

I gjithë procesi i rekrutimit të stafit të Gjykatës Speciale parashikohet të përfundojë deri në fund të këtij viti, ndërsa në fillim të vitit 2016 priten edhe aktakuzat e para ndaj zyrtarëve të lartë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Top Channel