Akti normativ, qeveria shkurton buxhetin

05/08/2015 00:00

Rënia e ndjeshme e të ardhurave në raport me planin në gjysmën e parë të vitit e ka detyruar qeverinë të shkurtojë me procedura emergjente buxhetin e vitit 2015.

Përmes një akti normativ, të miratuar në fund të muajit të kaluar, por të bërë publik vetëm këtë të enjte, Këshilli i Ministrave ka shkurtuar me 16.3 miliardë lekë të ardhurat totale të parashikuara për këtë vit dhe po në këtë masë edhe planin vjetor të shpenzimeve, për të mbajtur të pandryshuar defiçitin buxhetor.
Kjo është hera e parë që qeveria e majtë detyrohet të rishikojë në ulje buxhetin e shtetit, pasi të ardhurat e mbledhura në gjashtë muajt e parë të vitit nga tatimet dhe doganat ishin 10 për qind më të ulëta se plani i periudhës.

Megjithatë, Ministria e Financave njoftoi përmes një deklarate zyrtare se shkurtimet nuk kanë prekur investimet publike, të cilat sipas saj janë ruajtur thuajse në të njëjtat nivele me ato të fillimvitit.

Në këtë zë, sipas ministrisë, ka patur vetëm rishpërndarje fondesh, nga projektet me financim të huaj tek ato tek ato me financim të brendshëm, për shkak të ecurisë së ngadaltë të disbursimeve në kreditë afatgjata nga jashtë.

Po kështu, Financat thonë se shkurtimet nuk kanë prekur as sektorët prioritarë, si arsimi, shëndetësia dhe bujqësia, por ato kanë ardhur kreysisht nga kursimet, nga interesat e borxhit dhe pagesat që buxheti bën për sektorin energjitik, në formën e subvencioneve për kompanitë publike KESH dhe OSHE.

Në zërin e parë, qeveria ka kursyer 8.3 miliardë lekë, ndërsa pagesat për energjinë do të jenë 2 miliardë më pak se parashikimi. Pak ditë më parë, kur njoftoi lançimin e një fushatë të gjerë kundër informalitetit, kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria është duke analizuar shkaqet për ecurinë e dobët të të ardhurave.

Por përfaqsuesi i FMN, Jens Reinke tha në një intervistë për Top Channel se përtej faktorëve të jashtëm si rënia e çmimit të naftës dhe inflacioni i ulët, performanca zhgënjyese e të ardhurave lidhet me administrimin.

Top Channel