Dyndja e emigrantëve në Francë; BE premton ndihmë, kërkon nga Londra solidaritet

05/08/2015 00:00

BE pritet t’i akordojë një fond ndihme Francës për vështirësitë që po has me pritjen e emigrantëve të ardhur nga vendet e Afrikës në qytetin port të Calais (Kalesë).

Lajmin e ka bërë të ditur një zëdhënëse e Komisionit të Ndihmës, të hënën, duke cilësuar se:

“Komisioni është në dijeni se, situata e emigrantëve në Kalè është përkeqësuar. Ky përbën një rast tjetër të nevojës për më shumë solidaritet dhe përgjegjësi për mënyrën sesi përballemi me prurjet e emigrantëve në Evropë. Për këtë po shohim mundësinë e asistencës teknike për Francën, nëpërmjet agjencive evropiane dhe fondit të emergjencës”.

Referuar ankesave të parashtruara nga Britania e Madhe në lidhje me situatën, Bashkimi Evropian nuk i mbështeti, duke pohuar se pret më shumë solidaritet nga ana e Londrës zyrtare.

Por, përveç saj, BE kërkoi që të gjitha vendet t’i përmbahen skemës së propozuar në fillim të vitit, për të pranuar 40 mijë azilkërkues të ardhur përmes Mesdheut në Itali dhe Greqi, gjë të cilën deri më tani e ka bërë vetëm Gjermania, ndërsa Anglia, Austria dhe Hungaria janë shprehur kundër.

Top Channel