Restaurohet Koloseu i Romës

05/08/2015 00:00

“Një premtim i mbajtur. Koloseu do të ketë arenën e tij. U financua projekti për restaurimin”.

Ky ishte postimi i fundit në Twitter i ministrit të Kulturës në Italinë fqinje, Dario Franceschini, që sqaroi se tanimë Koloseu do të kthehet sërish në qendër të vëmendjes, sikurse në vitet 800, kur skena e tij shërbente për aktivitete të ndryshme.

Është nje nismë, që do të mundësojë një skenë të niveleve të larta, evenimentet e të cilave do të mundësojnë më vonë edhe shumën e të hollave, që do të nevojitet për mirëmbajtjen e mëtejshme.

Me këtë lëvizje, – shtoi ministri, – ne po u japim turistëve diçka më të bukur për të vizituar, së bashku me objektet e tjera të trashëgimisë kulturore, që do të restaurohen.

Shuma e miratuar kap shifrën e 18 milionë e 500 mijë eurove, si pjesë e ligjit “Art Bonus” për financimin e projektit “të të mirave kulturore”. Në total, plani parashikon një investim prej 80 milionë eurosh për dyvjeçarin 2015-2016, në muze të ndryshme dhe vendndodhje arkeologjike e kulturore në Itali.

Sot turistët, teksa vizitojnë Koloseun, kanë mundësi të shohin vetëm një pjesë të vogël të arenës, pasi pjesa tjetër është e hapur për korridoret nëntokësore.

Ideja e restaurimit u diskutua fillimisht nëntorin e shkuar nga i njëjti ministër, bazuar në idenë e arkeologut Daniele Manacorda, i cili parashikonte restaurimin me dru të pjesës së arenës, që të bënte të vizitueshme si atë, edhe korridoret e brendshme, që tani gjenden në qiell të hapur.

Por më vonë u mendua që skena e Koloseut, që është më e madhja në Itali por edhe më gjerë, të bëhet një skenë siç i takon të jetë: që të promovojë vlera për të gjithë.

Top Channel