Operacion kundër vjedhjes së energjisë elektrike, 15 të arrestuar në Himarë e Dhërmi

05/08/2015 00:00

Operacioni kundër abuzimeve me energjinë elektrike është zhvendosur në bregdetin e jugut, ku njësia operacionale speciale e energjisë ka nisur kontrollin sa u përket humbjeve, ndërhyrjes në sistemin matës dhe mospagesave.

Janë konstatuar raste vjedhjeje dhe ndërhyrjeje në sistemin matës, për të cilat në harkun kohor të 5 ditëve janë kryer 15 arrestime në Himarë e Dhërmi. Shefi i njësisë, Lumir Spahiu, thotë se aksioni do të vijojë deri në fund të javës, përgjatë fshatrave të Bashkisë Himarë.

“Ka shkelje si nga abonentët privatë dhe ata familjarë. Janë marrë masa administrative për punonjësit e OSHE-së që kanë kryer shkelje, ndërsa masa penale janë marrë ndaj abonentëve familjarë që kanë vjedhur apo abuzuar me energjinë”, tha Spahiu.

Më herët, në fokus të aksionit ishin Velipoja e Saranda, ndërsa në ditët në vijim njësia pritet të veprojë dhe në zonën bregdetare të Zvërnecit. Nga kontrollet e ushtruara që nga krijimi i Task-Forcës se njësisë, janë kontrolluar 15.600 kontrata. Ndërhyrje në matësat e energjisë janë konstatuar në 126 raste, 73 të energjisë së pa matur, 173 biznese që operonin me kontrata si abonentë familjarë dhe 71 lidhje të dyfishta.

Top Channel