Mbytet anija me 700 klandestinë në brigjet jugore të Italisë

05/08/2015 00:00

Autoritetet italiane dhe ato irlandeze u bënë dëshmitare të një tjetër fatkeqësie në brigjet e detit Mesdhe.

Një anije peshkimi e cila mendohet se transportonte rreth 700 emigrantë nga Libia për në Europë është mbytur. Sipas rojeve bregdetare italiane, mjeti lundrues ishte mbipopulluar, teksa kapaciteti i saj ishte shumë herë më i vogël.

Kapitenët e anijes kishin dhënë sinjalin për ndihmë autoriteteve siçiliane, pasi ishin larguar rreth 15 milje nga bregu i Libisë, duke shprehur vështirësitë që po hasnin gjatë lundrimit.

Sapo morën njoftimin, në vendngjarje mbërritën 3 anije shpëtimi, 2 italiane dhe një irlandeze, por për fat të keq në atë moment anija me refugjatë u fundos.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Emigrim, rreth 100 persona që dolën në sipërfaqe të ujit janë shpëtuar. Ndërsa numri i personave që po transportoheshin me mjetin e peshkimit është ende i paqartë për autoritetet.

Por, nga dëshmitë e mbledhura dyshohet për 700 persona, numër ky që do të verifikohet në vijim. Ndërkohë ka filluar një operacion masiv kërkimi për të tjerë të mbijetuar dhe në vendngjarje kanë mbërritur 3 helikopterë dhe 4 anije të tjera.

Vetëm këtë vit, më shumë se 2 mijë persona kanë vdekur duke u përpjekur për të arritur Europën nëpërmjet detit Mesdhe.

Top Channel