Ambasada e Gjermanisë: Azilkërkuesit nuk do të paguhen

05/08/2015 00:00

Ambasada e Gjermanisë ka reaguar në lidhje me lajmin se azilkërkuesve që do të largoheshin vullnetarisht nga Gjermania, do u paguante para’ për kthimin në vendet respektive.

Ambasada sqaron: “Ky informacion është i gabuar. Informacioni i vërtetë është se në fillim të korrikut 2015, për azilkërkuesit nga Ballkani, u bë oferta e mëposhtme unike dhe e limituar në kohë: Personat, të cilët kanë tërhequr aplikimin e tyre për azil deri më 24 korrik 2015 dhe do të dalin nga Gjermania deri më 14 gusht 2015, mund të marrin një mbështetje financiare nga Qarku Federal Lörrach. Kjo ofertë nuk është më e vlefshme që prej datës 24 korrik 2015. Në të ardhmen nuk do të ketë shpërblim në para’ në rast kthimi vullnetar në atdhe”.

Në lidhje me akomodimin e azilkërkuesve, Ambasada e Gjermanisë thotë se “situata në të gjithë Gjermaninë muajt e fundit është përkeqësuar në mënyrë dramatike, aq sa dhe Qarku Federal Lörrach është i detyruar t’i strehojë azilkërkuesit e tjerë në vazhdim në çadra dhe palestra”.

“Për azilkërkuesit, strehimi në këto qendra të improvizuara në kushte urgjence, shoqërohet jo vetëm me rrethana banimi shumë të ngushta dhe mungesën e hapësirës private, por edhe me reduktimin e kuotës në para, pasi për shkak të shpërndarjes së ushqimit në mënyrë të përqendruar, hiqet pagesa në para’ për ushqim për azilkërkuesit”, shton ambasada.

Top Channel