Becchetti, Apeli lë në fuqi masën “arrest me burg”

05/08/2015 00:00

Gjykata e Apelit në Tiranë ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për sipërmarrësin italian Francesco Becchetti dhe oratakun e tij Mauro De Renzi, mbi të cilët rëndojnë një sërë akuzash duke nisur që nga “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “krijimi i skemave mashtruese me qëllim përfitim të paligjshëm të parave”, “pastrimi të parave”, “mospagim taksash”, si dhe “kontrabandë me qëllim shmangien e detyrimit doganor”.

Edhe pse Beccheti dhe De Rezni vijojnë të jenë në arrati dhe të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Gjykata e Apelit në Tiranë ka shqyrtuar kërkesat e ardhura nga avokatët e tyre mbrojtës, të cilët kërkonin ndryshimin e masës së sigurisë të caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë.

Por, pasi ka dëgjuar pretedimet e palëve në proces, Gjykata e Apelit ka vendosur të mos ndryshojë masën e sigurisë për Becchettin dhe De Reznin, duke lënë në fuqi urdhërarrestin ndërkombëtar në ngarkim të tyre.

Vetëm pak ditë më parë, Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet në ngarkim të biznesmenit italian dhe 4 personave të tjerë të përfshirë në hetimin e organit të akzuës.

Sipas dosjes së prokurorisë, mbi sipërmarrësin Francesco Becchetti, pronar i “Agon Channel”, do të rëndojnë 3 akuza: ajo e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, “krijimi i skemave mashtruese me qëllim përfitim të paligjshëm të parave” dhe ajo e “pastrimit të parave”.

Ndërkaq, mbi ortakun e tij Mauro De Renzi, veç akuzave të “pastrimit të parave” dhe “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, prokuroria ka ngritur edhe ato për “mospagim taksash” dhe “kontrabandë me qëllim shmangien e detyrimit doganor”.

Gjithçka ka nisur pas një hetimi të gjatë të policisë, dosja e të cilës më pas i është kaluar prokurorisë, që në qershor sekuestroi, pas lejes së dhënë nga gjykata, 60% të aksioneve të shoqërisë “AgonSet”; shoqëritë “Energy”, “Cable System”, “400KW”, “Fuqi”; si dhe bllokoi llogaritë bankare të tyre në banka të ndryshme, të gjitha të administruara nga Francesco Becchetti, Liliana Condomitti, Mauro de Renzi dhe Elona Troplini, të cilët janë të dyshuar si të përfshirë në një skemë gjigante pastrimi parash, e cila arrin në miliona euro.

Grupi hetimor bën të ditur se ka provuar skemën, përmes së cilës biznesmeni italian ka kryer rreth 770 milionë lekë evazion në dëm të shtetit.

Top Channel