Policia britanike: Lidhje “të forta” mes sulmeve terroriste në Tunizi

05/08/2015 00:00

Policia britanike pretendon se ekzistojnë lidhje të forta mes masakrës së qershorit në një plazh të Tunizisë dhe sulmit në Muzeun Bardo të kryeqytetit Tuniz, i ndodhur në muajin mars.

Oficerë të zyrës së anti-terrorit në Policinë Metropolitane deklarojnë se kanë ngritur lidhje mes dy atentateve bazuar në prova të forta.

Sulmi në Muzeun Bardo u mori jetën 22 personave, ndërsa në plazhin Souse humbën jetën 38 të tjerë, 30 prej të cilëve shtetas britanikë.

Komandanti Richard Walton, i cili dërgoi oficerët e tij që të ndihmonin autoritetet tuniziane mbi dy ngjarjet, nuk dha detaje mbi lidhjen për të cilën foli, por theksoi vetëm se “ajo bazohet në prova të forta”.

Zyrtari i lartë tha se, autoritetet tuniziane kanë investuar burime të mëdha për hetimin dhe kanë kryer operacione në mbarë vendin për të çrrënjosur aktivitetet e grupeve terroriste.

Pas dy sulmeve thuhet se qëndrojnë militantë të Shtetit Islamik. Deri më sot policia tuniziane ka arrestuar 150 persona të lidhur me ngjarjen në Souse, 15 prej të cilëve përballen me akuza për terrorizëm.

Ndërsa të tjerët akuzohen për përfshirje në komplot terrorist, mosinformim të policisë për planin dhe ofrimin e ndihmës logjistike për autorët. Procesi gjyqësor pritet të fillojë pas të paktën 18 muajsh.

Top Channel