Zbardhet skema e “horrorit”, dy motrat helmuan prindërit, dogjën shtëpinë dhe u larguan

05/08/2015 00:00

Policia e Durrësit ka zbardhur ngjarjen tragjike të një familjeje të këtij qyteti, dy vajzat e të cilës konsiderohen të zhdukura që prej 16 korrikut.

Pas ditësh të tëra hetime, agjentët kanë zbardhur skemën shokuese të organizuar nga dy motrat, 18 dhe 14 vjeç, të cilat kanë dashur të largohen nga shtëpia për një aventurë të moshës.

Kështu, sipas hetuesve, Oriselda Kajtazi dhe motra e vogël, e cila identifikohet vetëm me gërmën e parë të emrit, “K”, kanë shkaktuar helmimin e prindërve dhe motrës më të madhe drekën e 15 korrikut për t’i hapur rrugë arratisë së tyre.

Pasi prindërit dhe vajza 20-vjeçare janë dërguar në gjendje të rëndë në spital, dy të miturat kanë marrë 400 mijë lekë (të reja) që ndodheshin në shtëpi, 800 euro, pasaportat dhe disa telefona celularë dhe janë larguar.

Por, para se të merrnin rrugët, ato dyshohet se i kanë vënë zjarrin shtëpisë së tyre, në orët e para të datës 16 korrik.

Që prej asaj dite, agjentët e policisë i kanë shpallur në kërkim dy motrat, të cilat dyshohen për “shkatërrim prone me zjarr” dhe “vjedhje në bashkëpunim”, dhe po punojnë për gjetjen e tyre. 

Ndërkohë, po hetohet edhe për të verifikuar nëse dy vajzat kanë pasur bashkëpunëtorë në këtë ngjarje të rëndë.

Top Channel