“Zhdukja” e motrave, familja: Na gjeni vajzat sa nuk është vonë

05/08/2015 00:00

Një histori gati e pabesueshme ka ndodhur në Spitallë të Durrësit ku dy vajzat e vogla të familjes, përkatësisht 18 dhe 14 vjeç, dyshohet të kenë helmuar prindërit dhe motrën e madhe, djegur shtëpinë dhe larguar duke marrë me vete kursimet e familjes e gjithçka tjetër të vlefshme për largimin nga shtëpia.

Vajzat e familjes Kajtazi, të ardhur 15 vite më parë në Durrës nga Berati, rezultojnë të larguara nga shtëpia që më 15 korrik të këtij viti, ndërsa babai i tyre, Hiqmeti 49-vjeçar, akuzon për neglizhencë në hetimin e rastit dhe gjetjen e vajzave prokurorin e çështjes dhe drejtues të Policisë së Durrësit, të cilët as nuk kanë denjuar ta takojnë e t’i tregojnë mbi ecurinë e hetimeve.

I dëshpëruar, në shtëpinë ku gjurmët e zjarrit nuk janë zhdukur ende, Hiqmet Kajtazi kërkon gjetjen e vajzave dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes që ka lënë pas plot dyshime për të.

“Vajzat e mia nuk kanë dalë asnjëherë, për asnjë kafe të vetme. Ajo që më ka ardhur inat, e që ma kanë thënë edhe në polici, është se kur t’ju mbarojnë lekët do të kthehen. I ka gënjyer dikush përmes rrjeteve sociale, siç mund të gënjehen edhe të rriturit”, është shprehur i ati i vajzave.

Halla e vajzave gjithashtu shprehet e zhgënjyer nga indiferenca e autoriteteve të hetimit, ndërsa beson se vajzat kanë rënë viktimë e rrjeteve sociale dhe lidhjeve të dyshimta që krijohen përmes tyre.

“Mbesat i njoh shumë mirë, jam çdo ditë me to nga mëngjesi në darkë, vetëm në rrjete sociale ose përmes telefonave kanë rënë pre e dikujt. Nuk dyshoj aspak tek ato, por në rrjete sociale nuk e di se çfarë ndodh”, ka thënë halla.

Vajza 18-vjeçare e familjes pati ndërprerë shkollën e mesme dhe në mars të këtij viti ka hedhur pas krahëve një fejesë të dështuar.  Prindërit pohojnë se gjithnjë kanë synuar të rrisin e edukojnë vajza të mira, shtëpiake, ndërsa nuk ka qenë hera e parë që ata janë helmuar prej tyre. Ky pohim e kthen në një vepër të paramenduar gjithçka që kanë realizuar motrat, të cilat nuk dihet ende nëse kanë bashkëpunuar edhe me persona të tjerë.

Aktualisht, policia i ka shpallur në kërkim për “shkatërrim me zjarr të pronës” dhe “vjedhje në bashkëpunim”. Dy vajzat e familjes dyshohet të kenë shkaktuar helmimin e prindërve dhe motrës së madhe 20 vjeçare, si dhe kanë djegur shtëpinë. E ndërsa prindërit dhe motra janë dërguar në spital, vajzat kanë marrë nga shtëpia 400 mijë lekë (të rinj), 800 euro, pasaportat dhe kartat e identitetit të 18 vjeçares dhe vajzës së madhe të familjes, bizhuteritë, sendet e tyre personale, si dhe 4 telefona celularë.

Që nga 16 korriku, policia deklaron se ka shpallur në kërkim dy vajzat dhe vazhdon punën për gjetjen e tyre dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Top Channel