Kualifikimi i Skënderbeut, Josa: Realizuam ëndrrën e të gjithë shqiptarëve

06/08/2015 00:00

Skënderbeu mundi edhe në “Elbasan Arena” 2-0 moldavët e Milsamit dhe futet në historinë e futbollit tonë si skuadra e parë shqiptare që kualifikohet në fazën “play off” të Champions League, ndërkohë që me këtë rezultat korçarët kanë siguruar pjesëmarrjen direkte në fazën e grupeve të Europa Leagues.

Pas ndeshjes, trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa është shprehur shumë i lumtur me kualifikimin, ndërsa fitoren ia ka dedikuar të gjithë futbollistëve për angazhimin dhe për realizimin e ëndrrës së të gjithë shqiptarëve.

“Ëndrra u bë realitet. Ishte ëndërr për të gjithë tifozët e Korçës dhe për të gjithë shqiptarët. Këtë fitore ia dedikoj futbollistëve për faktin se si është organizuar kjo skuadër”, është shprehur Josa.

Ndërkohë, sulmuesi Hamdi Salihi ka uruar që ditët e mira që po shoqërojnë futbollin shqiptar të vazhdojnë akoma. “Shpresoj që të vazhdojë sa më gjatë ky moment i mirë për futbollin shqiptar”, u shpreh shkodrani.

Ndërkohë, kapiteni Blendi Shkëmbi pa hedhur poshtë angazhimin e shokëve të skuadrës, ka thënë se kanë pasur edhe fat, pasi shorti është treguar bujar me kampionët e Shqipërisë.

“Nuk e diskutoj që kemi pasur fat shumë të madh në short. Jam i bindur që do të bëjmë edhe dy ndeshje të tjera shumë të mira dhe nuk i dihet… ëndrra mund të vazhdojë”, deklaroi Shkëmbi.

Top Channel