Marrëveshja me Iranin, vendet europiane e miratojnë

06/08/2015 00:00

Teksa kompromisi historik për programin bërthamor të Iranit, ka shkaktuar  polemika të shumta në Uashington, aleatët kryesorë europianë kanë dhënë verdiktin e tyre: Një “po” të madhe.

Ministrat e qeverive franceze, gjermane, italiane dhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian, së bashku me liderët e biznesit janë shprehur të gatshëm për të hapur  një epokë të re diplomatike, tregtie, investimesh, por edhe një bashkëpunim te mundshëm ushtarak me Teheranin, pavarësisht se çfarë mund të thonë skeptikët amerikanë dhe izraelitë.

Ndërsa, amerikanët argumentojnë se ende ka shumë punë për t’u bërë me  afatet kohore, teknike dhe disa çështje të tjera besueshmërie me Iranin, Barack Obama po lufton fort për të fituar miratimin e Kongresit për marrëveshjen bërthamore.

Në mbështetje të kësaj ujdie, më herët kreu i Uashingtonit ka cituar një shprehje të Presidentit Kennedy “le të mos negociojmë nga frika, por asnjëherë mos të na lërë frika pa  negociuar”, duke e cilësuar marrëveshjen me Iranin, si një  produkt “të zgjuar, të një diplomacie të ashpër”.

Ndërsa në kundërpeshë kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, po udhëheq një fushatë e cila sulmon ashpër programin bërthamor të Iranit, të mbështetur nga lobistët, si edhe e mirëfinancuar nga Komiteti Amerikano-Izraelit për Marrëdhënie me Publikun.

“Marrëveshja bërthamore nuk bllokon rrugën e Iranit për ndërtimin e një bombe, në fakt ajo i hap rrugën një veprimi të tillë”, ka qenë deklarata e Netanjahut. Por, deklaratat e këtij të fundit duket se nuk kanë pasur ndikim mbi zyrtarët e lartë europianë të cilët kanë udhëtuar kohët e fundit drejt Iranit.

Në fakt misione të tilla, të cilat në thelb kanë interesa ekonomike, kanë marrë bekimin zyrtar të BE-së, ku së fundmi shefja e Politikës së Jashtme e Brukselit, Federica Mogherini u shpreh gjithashtu “pro” një bashkëpunimi me Teheranin.

Entuziazmi i Europës për riangazhim është mirëpritur nga udhëheqësit e qeverisë iraniane.

Top Channel